Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), në mbështetje të edukimit të vazhdueshëm profesional (EVP), ka realizuar seminare me Shoqatat e Kontabilitetit në Kosovë, si: Institutin për Kontabilitet, Auditim dhe Financa – IKAF dhe Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës – SHKÇAK.
Temat të cilat u prezantuan/trajtuan në këto seminare, ishin: Detyrimi për të paguar TVSh-në për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit – Aplikimi i ngarkesës së kundërt të TVSh-së brenda vendit; Deklarimi dhe Pagesa e Sigurimit Shëndetësor.
Qëllimi i mbajtjes së këtyre seminareve ishte informimi i anëtarëve të Shoqatave të Kontabilitetit, lidhur me trajtimin tatimor për aspekte të TVSh-së për furnizimin e shërbimeve në lëmin e ndërtimit, respektivisht aplikimin e ngarkesës së kundërt (Reverse Charge) për TVSh brenda vendit, si dhe Deklarimin dhe Pagesën e Sigurimit Shëndetësor.
Pjesëmarrësit u njoftuan gjerësisht për mënyrën e aplikimit të ngarkesës së kundërt për TVSh brenda vendit, me ç’rast janë pasqyruar edhe shembujt praktik për plotësimin e drejtë të deklaratës tatimore për TVSh. Gjithashtu, edhe për Deklarimin dhe Pagesën e Sigurimit Shëndetësor, janë shpalosur shembuj të ndryshëm, përmes të cilëve pjesëmarrësit u informuan për mënyrën e saktë të deklarimit.
Gjatë këtij seminari, pjesëmarrësit parashtruan pyetje të ndryshme, lidhur me temat e prezantuara, si dhe pyetje të tjera lidhur me Legjislacionin Tatimor. Për të gjitha pyetjet e parashtruara nga pjesëmarrësit, janë ofruar përgjigje adekuate nga prezantuesit e temave në seminar.
Në këto seminare pjesëmarrës ishin: anëtarët e Institutit për Kontabilitet, Auditim dhe Financa dhe Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës.