Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se është duke zbatuar Ligjin Nr.05/L-119 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-043 për Faljen e Borxheve Publike, andaj subjektet që kanë obligime të pashlyera ndaj ATK-së, mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas këtij Ligji.
Siç thuhet në njoftimin e ATK-së të gjithë personat fizikë dhe juridikë (përveç ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit), të cilët kanë borxhe ndaj ATK-së deri më 31 dhjetor 2008, mund të përfitojnë nga falja e borxhit, nëse plotësojnë kriteret dhe iu nënshtrohen procedurave të parapara sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ përkatës.
Për të përfituar nga falja e borxheve ndaj ATK-së, tatimpaguesi duhet:
1. Të kryej pagesën e plotë të tatimit bazë (kryegjësë) për periudhën nga 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014, ose
2. Të lidh marrëveshje me ATK-në, për pagesën e borxheve me këste, për periudhën 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.
Vetëm tatimpaguesit të cilët shfrytëzojnë këtë mundësi dhe përmbushin detyrimin e kërkuar brenda periudhës ligjore deri me 01 shtator 2017, do të përfitojnë nga falja e borxhit.
“Kërkesën për pjesëmarrje në programin për faljen e borxhit publik, mund ta gjeni në zyrën përkatëse regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës. Me qëllim të informimit edhe më tepër nga shlyerja e borxheve të vjetra dhe detyrimeve tjera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, tatimpaguesit mund të shfrytëzojnë Fletëpalosjen “Përfito nga shlyerja e borxhit ndaj Administratës Tatimore të Kosovës” e cila është në dispozicion të tatimpaguesve, në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org tek linku Multimedia-Fletëpalosje”, thuhet në njoftimin e ATK-së.