Australia mbërthehet nga sulmet kibernetike shtetërore

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Australisë si dhe institucionet janë bërë shënjestër e krimeve kibernetike të vazhdueshme dhe të sofistikuara, ka thënë kryeministri i Australisë Scott Morrison.

Morrison tha se sulmet kibernetike ishin gjithëpërfshirëse, duke sulmuar “të gjitha nivelet e qeverisë” si dhe shërbimet esenciale dhe bizneset.

Ai nuk deshi të identifikojë aktorë specifik shtetërorë dhe tha se nuk kishte shkelje të mëdha të të dhënave personale.

Sulmet kanë ndodhur gjatë shumë muajve të shkuar dhe janë në rritje, shtoi ai.

Kryeministri tha se lajmërimi i tij kishte për qellim rritjen e vetëdijes publike si dhe nxitjen e bizneseve që të përmirësojnë mbrojtjen.

Morrison nuk përmendi raste specifike por tha se sulmi kishte përfshirë “qeveritë, industritë, organizatat politike, edukimin, shëndetësinë, dhe operatorë të infrastrukturave të tjera të rëndësishme”.

Duke folur të premten, kryeministri Morrison tha se zyrtarët e kishin identifikuar sulmin si sulm kibernetik nga një shtet tjetër “për shkak të shkallës dhe natyrës së sulmit dhe mënyrës se si është bërë”, shkruan BBC.

Kur u pyet se a mund të identifikon shtetin që ka sulmuar, ai tha se “nuk do ta bëjë publike”.

Thuhet se Kina, se bashku më Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut janë disa nga pak shtete të cilat kanë kapacitetin për të bërë sulme të tilla, dhe nuk janë aleatë të Australisë. Spiunazhi kibernetik në mes shteteve dhe madje edhe aleatëve është gjë e zakonshme, sipas ekspertit Joshua Kennedy i cili foli për BBC.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme