Australia shtrëngon masat kundër përhapjes së Coronavirusit

Prishtinë | 14 Kor 2020 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Autoritetet australiane i kanë shtrënguar masat për kufizimin e lëvizjes për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit në pjesën juglindore të vendit. Shifra e përgjithshme e të infektuarve ka shkuar në mbi 10,000 persona.

Për shkak të frikës nga vala e dytë e virusit në nivel kombëtar, dy rajone e zgjatën afatin e masave kufitare, ndërsa rajoni me numrin më të madh të popullsisë caktoi kufizime për numrin e njerëzve që lejohen në kafene.

Këto ndryshime erdhën pas shpërthimit të rasteve në Viktoria, që është bërë vatër e përhapjes, pavarësisht vendosjes në karantinë të rreth pesë milionë njerëzve javën e kaluar në qytetin Melbourne, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Numri i rasteve aktive në këtë rajon shkoi në gati 2,000 dhe 270 të infektuar u regjistruan në 24 orët e fundit, duke e çuar në rreth 10,000 numrin e përgjithshëm të rasteve.

Në fazën e parë të pandemisë, Australia me sukses ka arritur ta shmangë përhapjen e madhe të virusit përmes masave të shpejta dhe të rrepta, por shifrat e fundit i kanë shqetësuar autoritetet.

Të ngjashme