Ndërmarrja publike e Komunës së Prishtinës “Trafiku Urban” nesër do të lëshojë në qarkullim autobusët e rinj.
Autobusët e shumëpërfolur, 10 prej të cilëve kanë ardhur në Prishtinë qe dy muaj, do të lëshohen në qarkullim për qytetarët e Prishtinës më 17 Shkurt, Ditën e Pavarësisë, raporton lajmi.net
Këtë informacion e ka konfirmuar zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi. “Nesër më 17, dhe udhëtimi është falas tërë ditën”, është shprehur Vraniqi.
Në dhjetor të viti 2016, kompania “Iveco”, kishte sjellë në Prishtinë 10 autobusët e parë. Ndërkaq 15 autobusë kanë arritur në fillim të muajit shkurt.
Vraniqi ka thënë se autobusët nuk kanë mundur të lëshohen në qarkullim pasi është dashur të kryhen disa procedura teknike për ta. “Arsyet pse nuk kanë dalë është procesi i homologimit, sigurimit dhe regjistrimit të tyre”, u shpreh zëdhënësi i Komunës.
“Trafiku Urban”, nëpërmjet një kredie prej 10 milionë euro të marrë nga BERZH-i, ka blerë nga kompania çeke “Iveco” 51 autobusë.
Deri më tani në Prishtinë kanë arritur 25 sish, kurse muajve në vijim pritet të vijnë edhe 26 tjerë.