Avancon diagnostika në QKUK, bëhet me teknologjinë PET-CT: Puna me pacientë fillon në maj

Prishtinë | 25 Pri 2024 | 11:17 | Nga Ekonomia Online

Qendra Klinike Universitare e Kosovës është pajisur me aparaturën për diagnostikimin dhe monitorimin e kancerit PET-CT.

PET-CT është metodë imazherike që ndërthur teknikat e PET (Tomografia me Emetim të Pozitronit) dhe CT (Tomografia e Kompjuterizuar), dhe siguron informacion më gjithëpërfshirës sesa secili që mund ta sigurojë veçmas. Metoda më e avancuar në botë që përdoret në diagnostikimin dhe monitorimin e kancerit, PET-CT ka shumë përparësi si për mjekët ashtu edhe për pacientët.

Kjo pajisje tashmë është instaluar edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe së shpejti pritet të filloj shërbimin për pacientët.

Në lidhje me pajisjen e QKUK-së me këtë aparaturë Gazeta Shneta ka folur me Dr. Fakir Spahiun, drejtor i Shërbimit të Qendrës Klinike të Mjekësisë Nukleare.

Spahiu në përgjigjen e tij ka treguar se donator i kësaj pajisje është “Al Waleed Philanthropies” nga Riadi, Arabia Saudite, përmes Fondacionit “JAHJAGA” të ish-presidentes Atifete Jahjaga.

“Donator i pajisjes se SPECT/CT/PET është donatori “Al Waleed Philanthropies” nga Riadi, Arabia Saudite, përmes Fondacionit “JAHJAGA” ish Presidentja Atifete Jahjaga që ka dhënë kontribute të veçantë. Projekti është përkrahur edhe nga presidentja Vjosa Osmani e cila e ka dekoruar donatorin me mirënjohje shtetërore”, tha Spahiu.

Tutje, Spahiu tha se pajisja e SPECT/CT/PET është e vendosur në Klinikën e Mjekësisë Nukleare në QKUK dhe është pjese e pandashme e Mjekësisë Nukleare si në çdo vend të botës.

“Po pajisja është instaluar në Mjekësi Nukleare pas renovimit të repartit dhe janë duke u kryer kalibrimet dhe testimet e pajisjes si dhe është duke u mbajt trajnimi i stafit për përdorimin e pajisjes”, u shpreh ai.

Sa i përket asaj se kur pritet të hyjë në funksion pajisja, Dr. Fakiri tha se në funksion të rregullt pritet të fillojmë nga fundi i muajit maj pas nënshkrimit të kontratës për furnizim të rregullt me material radioaktiv e cila është në procedurë të tenderimit.

Për leximin e rezultateve të PET CT, Spahiu tha se specialistët e mjekësisë nukleare janë të trajnuar, por trajnimi do të jetë i vazhdueshëm.

“Po Specialistet e Mjekësisë Nukleare janë të trajnuar por trajnimi duhet të jetë i vazhdueshëm për shkak se kjo pajisje është për herë të parë e instaluar në Kosovë në sektorin publik dhe ne kemi trajnime të vazhdueshme për të dhënë shërbime sa më të mira për pacientët të cilët kanë nevojë për këtë incizim”, u shpreh Spahiu.

Ndërsa, sa i përket asaj nëse do të ketë kosto për pacientët te të cilët do të përdoret pajisja, ai tha se nuk kam ndonjë informatë se a do të kemi ndonjë bashke pagese apo jo. Por, në momentin e parë që do të ketë do ta bëjnë publike.

Të ngjashme