Ambasadori i Serbisë në Izrael, Milutin Stanojeviq, për Times of Israel, ka deklaruar se Serbia është shumë e zhgënjyer për shkak të pjesëmarrjes së pilotëve izraelitë dhe të aeroplanëve të luftës të Izraelit në kremtimin e përvjetorit të operacionit “Oluja” në Kroaci, transmeton Koha.net.
Dje në Knin, Kroaci, është shënuar 23 vjetori i dëbimit të forcave serbe nga ky rajon kroat.
Serbia vazhdon të vajtojë se gjatë këtij aksioni janë vrarë 2,000 serbë dhe se janë shpërngulur 250 mijë të tjerë.
Një pjesë nga këta refugjatë, që kishin ndihmuar agresionin e Serbisë në Kroaci, ishin vendosur edhe në Kosovë. Nga ta pati të përfshirë në luftën e Serbisë kundër Kosovës në vitin 1998 – 1999.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka thënë se Serbia është shumë e befasuar me pjesëmarrjen e avionëve izraelitë të luftës në këtë festë.
Ndërkohë ambasada e Izraelit në Beograd, me një kumtesë për medie, ka thënë se pjesëmarrja e këtyre avionëve ka qenë për qëllime komerciale, pasi Izraeli i ka shitur Kroacisë avionë lufte F16 dhe se ata aty kanë qenë për demonstrime.