Avokatët e të akuzuarve për sulmin në Ibër-Lepenc kundërshtojnë aktakuzën, pretendojnë se Prokuroria ka injoruar provat e mbrojtjes

Prishtinë | 09 Kor 2026 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

Avokatët e të akuzuarve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, në fjalët hyrëse në gjykimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë Speciale, duke pretenduar se nuk janë marrë parasysh provat e propozuara nga mbrojtja, raporton Ekonomia Online.

Avokati Nebojsha Vllaiq, mbrojtës i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, tha se nga gjykata pret drejtësi dhe objektivitet, duke akuzuar Prokurorinë se ka injoruar provat e mbrojtjes.

“Pse qytetarët i drejtohen gjykatës, sepse nga gjykata presim drejtësi dhe të vërtetën. Pse bash nga gjykata, sepse gjykata është e obliguar që të jetë objektive dhe e paanshme. Dhe ky obligim nuk e obligon vetëm gjykatën por edhe prokurorin publik. Ne kemi propozuar 10 prova dhe prokurori nuk ka marrë asnjë thjesht nuk i ka interesuar. Këtu prokurorit i pengon se i pandehuri po mbrohet në heshtje… Nuk do të flas (i pandehuri) përderisa prokurori i fsheh të gjitha dhe i fsheh provat tona. Në mënyrë të palejueshme dhe të paligjshme”, tha ai.

Ai kundërshtoi edhe përfshirjen në aktakuzë të disa gjërave të sekuestruara, duke thënë se posedimi i tyre nuk përbën vepër penale.

“Asnjë ligj nuk ndalon të mbahet thika, të gjithë kemi në shtëpi, radio, secili gjuetar ka maska apo uniforma, unë nuk them se prokurori s’guxon t’i përmendë, aktakuza ka arsyetimin le ta sqarojë ai në arsyetim se çka ka pas i pandehuri. Atëherë pretendon se ekzistojnë uniforma ruse po s’është asnjë, unë këtë e kam provu, kjo është e Ukrainës, ndërsa uniforma amerikane e britanike ka më së shumti, po ato prokurori s’i përmend se s’i pengojnë që ato konsiderohen uniforma të miqve në Kosovë, prokurorit i pengojnë uniformat ruse që ta vendos të pandehurin në një situatë më të vështirë. Edhe vepra penale e spiunazhit është kualifikuar jashtëligjshëm. Vlerësimi i dëmit është i tepruar”, tha ai.

Avokati Millosh Deleviq, mbrojtës i Dragisha Viqentijeviqit, tha se nga aktakuza nuk është e qartë se çfarë veprimi konkret ka kryer klienti i tij.

“Ne në gjykimin e kaluar kemi dëgjuar aktakuzën, sot e kemi dëgjuar fjalën hyrëse të prokurorit dhe nuk është e qartë se çfarë ka bërë i mbrojturi im. Çka konkretisht ka bërë ai atë ditë. Kjo aktakuzë dhe kjo çfarë është deklaruar përshkruan ngjarjen që ka ndodhur atë ditë, unë nuk e di deri ku gjykata e shkallës së parë di të tolerojë që prokurori të paraqes aktakuza me këso përmbajtje dhe deri kur do të lejojë që këto aktakuza të hyjnë në fuqi. E vetmja gjë logjike në lidhje me Dragishën është se supozohet se ekziston prova që balta nga çizmet e tij përputhet me baltën nga vendi i ngjarjes. Mirëpo nuk e kemi kuptuar se a është vërtetuar se ato çizme janë pronë e Dragishës. Do të propozojmë 4 dëshmitarë, do të propozojmë video-incizime. Do të kundërshtojmë edhe ekspertizën e baltës në çizme”, tha ai.

Jelena Krivokapiq, mbrojtëse e të akuzuarit Igor Dimoviq, tha se mbrojtja do të ofrojë prova se sendet e sekuestruara janë pjesë e një koleksioni privat.

“Do të ofrojmë prova se bëhet fjalë për koleksionimin e gjërave të vjetra, përkatësisht se i mbrojturi im është koleksionar i pasionuar i gjërave të vjetra që përfshijnë edhe gjëra të ushtrive të vjetra, të cilat janë të rralla, nuk bëhet fjalë për pajisje ushtarake”, tha ajo.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tha se seanca e radhës është caktuar për 27 korrik në orën 10:00 dhe 28 korrik në orën 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzën të cilën e ka ngritur prokurori special Bekim Kodraliu, thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshjeje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.

Të ngjashme