Avokati i popullit kërkon rregulla të reja për UP-në

Prishtinë | 07 Pri 2021 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Avokati i Popullit po kërkon nga Universiteti i Prishtinës të anulojë kriterin me të cilin duhej të konstatohej nëse ekziston konflikt interesi që një kandidat/kandidate për doktoratë ka lidhje të drejtë gjaku me një ose më shumë anëtarë personeli akademik të njësisë përkatëse.

Nga Zyra e Avokatit të Popullit bëhet e ditur se më 6 nëntor të vitit të shkuar kishte pranuar ankesën e Vegim Vulës, Zana Dragidellës dhe Ardi Ahmetit, si kandidatë për doktoratë në Mjekësi dhe në Ekonomik e të cilët ishin ankuar për diskriminim në konkursin publik të UP-së, i shpallur më 23 tetor 2020.

Ankesa kishte të bënte me kriterin “Kandidatët i nënshtrohen parimit të ndalimit të konfliktit të interesit sipas legjislacionit në fuqi, Kodit të Etikës dhe Udhëzuesit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit të Këshillit të Etikës në UP. Në mënyrë të veçantë do të konstatohet që ekziston konflikt i interesit nëse kandidati/kandidatja ka në lidhje të drejtë gjaku një ose më shumë anëtarë të personelit akademik të njësisë akademike përkatëse”.

E kjo pikë sipas Avokatit të Popullit përbën diskriminim.

Kandidatët për doktoratë janë fëmijë dhe të afërm të profesorëve në Fakultetin Ekonomik dhe në Mjekësi. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit, ata duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë në raport me kandidatët e tjerë.

“Trajtimi i pabarabartë përbën një praktikë në kundërshtim me konceptin e barazisë para ligjit, i përcaktuar me Nenin 24 të Kushtetutës. Avokati i Popullit konstaton se UP-ja në mënyrë të drejtë, por me vonesë, i është adresuar Agjencisë Kundër Korrupsionit, si organ përgjegjës për vlerësimin e dilemës për konflikt interesi. Avokati i Popullit, duke iu referuar argumenteve të lartpërmendura, me qëllim të përmirësimit të punës së UP-së dhe për ta parandaluar diskriminimin e mëtutjeshëm ndaj parashtruesve të ankesës, i rekomandon Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ të krijojë politika të përshtatshme për të parandaluar urgjentisht çdo praktikë që paraqet trajtim të pabarabartë me rastin e publikimeve të konkurseve publike të tilla”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Avokatit të Popullit, raporton Zeri.info.

“UP-ja në të ardhmen dilemat e tilla për vlerësim të konfliktit të interesit t’i adresojë pa zvarritje në institucionin përgjegjës për vlerësimin e konfliktit të interesit – Agjencisë Kundër Korrupsionit, si organ përgjegjës”, përfundohet në njoftimin e këtij institucioni. 

Të ngjashme