Avokati i Thaçit: Ku është aktakuza për vjedhjen e organeve, pse nuk ka asnjë simbol të Kosovës?

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 16:06 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

David Hooper, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka pyetur Dhomat e Specializuara rreth aktakuzës për vjedhjen e organeve, përcjell Ekonomia Online.

“Ku janë aktakuzat për vjedhjen e organeve, dhe atë Shtëpinë e Verdhë, sepse kjo ishte akuza apo pretendimi, ku janë këto pretendimi sepse ishin shumë të rëndësishme në lidhje me lindjen e kësaj gjykate, nën pretendimet e raportit të Dick Martit. Kjo është njollë për Kosovën”.

Ai gjithashtu ka shprehur habinë si një Gjykatë e Kosovës, nuk ka asnjë emblemë të Kosovës.

“Ndoshta këtu duhet të kemi një shqiponjë meqenëse është gjykatë e Kosovës kjo”, u shpreh Hooper.

Avokati përshkruan Thaçin duke cituar presidentin Biden dhe senatorin Bob Dole

Avokati David Hooper, para Prokurorit të Dhomave të Spacializuara të Kosovës në Hagë, e ka përshkruar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke cituar fjalët e presidentit të sapozgjedhur të ShBA-së, Joe Biden, dhe senatorit amerikan Bob Dole.

“Të them disa fjalë për Thaçin, si një person që i ka shërbyer vendit të tij në luftën për në paqe. Më mirë do të bazohesha në librin e senatorit amerikan Bob Dole, dhe e citoj atë se çfarë ka thënë për z.Hashim Thaçin. Ai ka thënë dhe citoj: Kosova ka kaluar një rrugëtim të pabesueshëm dhe një person ka qenë kritik për këtë arritje të Kosovës dhe ky person është Thaçi”, tha avokati Hooper gjatë seancës gjyqësore.

Gjithashtu avokati i Thaçit nuk u ndal me aq duke shtuar se edhe presidenti i SHBA-së Joe Biden e ka quajtur Hashim Thaçin si “George Washingtoni i Kosovës”, derisa ishte në detyrën e nën-presidentit.

“Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden, tash president i zgjedhur i SHBA-së, e ka quajtur z. Thaci George Washingtonin e Kosovës”, ka thënë Hooper.

Hooper kundërshton sjelljen me pranga të Thaçit në sallën e gjyqit

Avokati David Hooper ka thënë se është habitur kur e ka parë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të sillet në dhomën e gjykimit me pranga në duar.

Hooper tha se nuk është e nevojshme vendosja e prangave pasi Thaçi nuk mund të shkojë askund, raporton Ekonomia Online.

Por, gjykatësi Nicolas Guillou tha se kjo është procedurë që aplikohet tek çdo i pandehur.

“Nuk ka trajtim të posaçëm për klientin tuaj. Është procedurë që aplikohet për çdokënd që vjen në Dhomat e Specializuara”, ka thënë gjykatësi.

Thaçi në Hagë: I dëgjova akuzat, i hedh poshtë të gjitha

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë para Dhomave të Specializuara, raporton Ekonomia Online.

Thaçi pas dëgjimit të aktakuzave ndaj tij, është përgjigjur duke hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe duke u deklaruar i pafajshëm.

“I kam dëgjuar, lexuar dhe i hedh poshtë të gjitha”, tha Thaçi.

“Akuza është e paqëndrueshme dhe deklarohem i pafajshëm”, tha më tej ai.

Të ngjashme