Avokati Mahmut Halimi sulmohet nga Sabit Lushtaku

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 17:22 | Nga

Avokati Mahmut Halimi është sulmuar sot fizikisht nga Sabit Lushtaku në zyrën e Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Halimi ka treguar për Klan Kosovën se Lushtaku ka qenë në cilësinë e dëshmitarit duke u marrë në pyetje në rastin ku akuzohet Driton Latifi, i cili është klient i Halimit.

Ai ka thënë se Lushtaku qysh në fillim të deklaratës së tij ka shprehur mosdurim për prezencën e Halimit në seancën dëgjimore.

“Prokurori ia ka spjeguar bazën ligjore, pra që avokati ka të drejtë të jetë prezent gjatë dhënies së deklaratës së tij. Ka filluar marrja e deklaratës me vështirësi të mëdha por Prokurori ka qenë i durueshëm duke ia spjeguar rëndësinë e deklaratës së tij”.

“Kemi vazhduar asisoj derisa në një moment i jam drejtuar Prokurorit, që kam të drejtë dhe është detyra ime si avokat, ku i kam kërkuar që të konstatohet një fjalë në procesverbal sepse mbeti e pakonstatuar”.

“Prokurori e ndërmori këtë veprim dhe ai i reagoi duke mu drejtuar mua se pse po përzihem”.

Sipas Halimit, prokurori në këtë rast i ka spjeguar dhe e ka udhëzuar Lushtakun se qëllimi është dëshmia e tij dhe po ashtu se avokati ka të drejtë të kërkojë sugjerime dhe spjegime.

Kur Prokurori, sipas avokatit, ka thënë se pas pyetjeve të tij, pala mbrojtëse (Mahmut Halimi) do të bëjë pyetje, ai (Sabit Lushtaku) nuk ka pranuar duke thënë se “nuk dua të bisedojë me avokatin, nuk dua as pyetje dhe as përgjigje nga ai”.

Halimi ka thënë për Klan Kosovën se në këtë moment e ka sugjeruar Lushtakun që të gjejë një avokat që ta përfaqësojë dhe udhëzojë, ku edhe sipas tij, ky ishte momenti kur është sulmuar fizikisht nga Lushtaku.

Avokati ka thënë se ka lëndime në fytyrë dhe gjendjen shëndetësore nuk e ka pasur të mirë, pasi ka dhe probleme me tensionin e lartë të gjakut. Ai ka thënë se pas sulmit, ka marrë trajtim shëndetësor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme