Avokati mbron burrin që vrau gruan në Prizren: Është i sëmurë…

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit, që Bajram Velijajt, i cili dyshohet për vrasjen e gruas së tij, t’ia vazhdojë masën e paraburgimit prej 1 muajsh, ka folur edhe avokati i tij, Orhan Rekathati.

Ai ka sqaruar në detaje se si Bajram Velija ka ardhur deri tek vrasja e gruas së tij. Avokati Rekathati, po ashtu ka thënë se Bajram Velija e ka pranuar veprën para tij, për të cilën ka thënë se ndihet i penduar.

“Ai e pranoi që e ka kryer vrasjen. Do të vazhdojnë hetimet ma tutje. Ai (Bajram Velija), deklaroi se gjithçka ka ndodhur aty për aty. Nuk kanë pasur diçka konflikte bashkëshortore. Nuk ka pas ndonjë motiv për hakmarrje ose diçka tjetër. Me moral ajo ka qenë në çdo pikëpamje mirë, nuk ka tradhtua. Vetëm pakënaqësi bashkëshortore”, thotë avokati.

Pala mbrojtëse deklaron se klienti i tij i ka thënë se asnjëherë nuk kishte ushtruar dhunë mbi gruan e tij tashmë të ndjerë dhe se fjalosja kishte qenë momentale.

“Gjendja emocionale e tij është shumë e rëndë. Sipas klientit, ata mirë kanë kalu, mirëpo kohëve të fundit kishin pasur disa fjalosje. Klienti ka deklaruar se asnjëherë nuk ka përdorur dhunë fizike”, thotë pala mbrojtëse.

Avokati Orhan Rekathati, tutje shpjegon edhe për natën kritike që bëri që një grua të vdes nga plumbat e shkrepur nga burri i saj.

“Në natën kritike ata kanë qenë në shtëpi. Aty janë fjalos. Ky ka qenë i sëmurë pak nga diabeti, astma. Ky ka qenë në gjumë, edhe pastaj janë fjalos. Ajo ka dal me shku në Prishtinë, tek vajza e saj. Dhe në rrugë mandej, eja kthehu i ka thënë. E për të tjerat thotë se nuk i kujtohet se si kanë ndodhur. Ai është penduar për rastin. Ka thënë se nuk kanë pasur probleme bashkëshortore. Gjithçka ka ndodhë shumë shpejtë”, thotë për Express avokati Orhan Rekathati.

Ndërkohë i pandehuri, Bajram Velija në seancën e mbajtur ka deklaruar se të gjitha veprimet i ka ndërmarrë në një moment që nuk e ka ditur se si ka ndodhur, ndërsa armën të cilën e ka pasur me vete në natën kritike, ka deklaruar se e ka mbajtur me vete here pas here për shkak të problemeve me fqinjë.

Në një deklaratë për Gazetën Express, Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, tha se janë duke mbledhur prova rreth këtij rasti dhe se motivet ende nuk dihet.

Sipas saj, autopsia në trupin e viktimës tashmë ka përfunduar dhe se rezultatet pritet që t’i marrin së shpejti.

“Jemi në fazën e hetimeve. Po i grumbullojmë provat. Ne kërkuam një muaj paraburgim. Kemi inçizime. Po presim edhe që t’i intervistojmë familjarët”, ka deklaruar prokurorja për Express.

Ndërkaq, Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji ndaj të pandehurit me iniciale B.V. nga Prizreni, që vrau gruan e tij Armenda Aliun.

“Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par.1.pika 1.3. të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 07.08.2019, dhe do të zgjasë deri më datën 06.09.2019”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të ngjashme