Avokati i Popullit e quan të padrejtë pagesën për testin e maturës, kërkon që të zhbëhet

Prishtinë | 09 Pri 2018 | 19:44 | Nga

Maturantët që do t’i nënshtrohen testit të maturës obligohen të paguajnë pesë euro.

Vendimin e Ministrisë së Arsimit për një gjë të tillë, Avokati i Popullit e ka konsideruar të jashtëligjshëm, pasi pagesën nuk e përcakton më ligji për provimin e maturës shtetërore.

“Avokati i Popullit vëren se ligji i ri për provimin e maturës shtetërore qëndron i heshtur sa i përket çështjes së pagesës. Ndryshe nga neni 17, paragrafi 3, nën paragrafi 3.3 i ligjit të mëparëshëm për provimin përfundimtar dhe provimin e maturës shtetërore, i cili përmend në mënyrë eksplicite se bashkë me fletëparaqitjen kandidati paraqet edhe dëshminë për kryerjen e pagesës në bankë, vendimi për pagesën e provimit të maturës i shkel të drejtat dhe liritë e njeriut për faktin se është në kundërshtim me parimet bazë të funksionimit të shtetit demokratik, siç është parimi i ligjshmërisë, parimi kushtetues i sundimit të ligjit dhe i sigurisë juridike”, thuhet në reagimin e Avokatit i Popullit.

Nxënësit që do t’i nënshtrohen provimit të maturës këtë vit thonë se nuk janë mirë të informuar për këtë.

Sipas tyre, MASHT-i do të duhej të tregonte se për çfarë janë të destinuara këto para.

Ministria e Arsimit, në një përgjigje me shkrim, i ka thënë KTV-së se ky është një vendim i komisionit të kaluar.

Valmir Gashi, këshilltar për media në këtë ministri, ka thënë se Komisioni aktual e ka planifikuar që ta shqyrtojë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme dhe hapat e mëtutjeshëm do të bëhen të ditur me kohë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme