Zyrtari për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun I AAK-së, Ardian Azemi ka reaguar ndaj paralajmërimit të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për një vizitë nga stafi i saj në qendren e paraburgimit në Gjykatën Speciale në Hagë ku po mbahen krerët e UÇK-së.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Azemi ka thënë se kjo është një përpjekje e radhës e pushtetit për t’i mbuluar skandalet e njëpasnjëshme në raport me vlerat e luftës.
“Paralajmërimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për vizitë nga stafi i saj në qendrën e paraburgimit në Gjykatën Speciale në Hagë, është thjeshtë përpjekje për t’i mbuluar skandalet e njëpasnjëshme në raport me vlerat e luftës si dhe kalkulim për votë. Jo ministre, nuk është obligim institucional t’i vizitoni personat që ndodhen në Hagë. Obligim institucional është të këmbëngulni për lirinë e tyre, për kategoritë e dala nga lufta, në raport me kërkesat dhe nevojat e tyre”, ka shkruar Azemi.
Ai ka thënë se UÇK-ja nuk ka nevojë për mbrojtje as nga pushteti e as nga opozita.
“Lufta e UÇK-së nuk ka nevojë për mbrojtje, as nga ju në pushtet, as nga ne në opozitë. Ajo mbrohet nga lugina e Reçakut, nga komplekset e varrezave të dëshmorëve gjithandej Kosovës, mbrohet nga familjet që tani e 21 vjet janë në pritje të kuptojnë diçka për fatin e më të dashurve të tyre”.
“Obligim i institucioneve shtetërore, i partive opozitare, analistëve, i secilit nga ne, është të mos i akuzojmë çlirimtaret. Ju kujtohet kur ishit në opozitë dhe nuk zgjidhnit mjet për të ardhur në pushtet? A ju kujtohet kur Serbia i quante kriminelë krerët e luftës së UÇK-së, ndërsa ju nga Kuvendi i Kosovës?”, është shprehur ai.
Azemi ka shtuar se Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Lahi Brahimaj e shumë të tjerë u përballën me këto procese gjysmën e viteve të lirisë së Kosovës.
“Është investuar shumë në këtë drejtim, edhe në kohë edhe në forma tjera. Dhjetë vjet të lirisë Ramush Haradinajt i kaluan në përballje me këto procese të montuara, gati aq Fatmir Limës, Lahi Brahimajt e të tjerëve, tani këta të fundit një Zot e di sa do të zgjas procesi. Të parët u shpallën të pafajshëm, do të shpallen edhe këta tani, por kush ua kthen vitet e humbura? Për më keq, po barazohet para, kinse drejtësisë, viktima me agresorin”, ka shtuar Azemi.
Azemi ka thënë se për shumë vjet janë bërë përpjekje për t’i eliminuar politikisht ata që ndryshuan kahjen e historisë sonë, por nuk ia dolën, nuk do t’ia dalin asnjëherë.
“Së fundmi jeni pajtuar për hapjen e arkivave të UÇK-së. Madje çfarë deklarate skandaloze; Serbia u pajtua të hapë arkivat e saj por edhe të UÇK-së. Domethënë, qenka në dorë të Serbisë që të hapen arkivat edhe të UÇK-së. Mjerim!”.
“Për shumë vjet, edhe sot vazhdoni të shpurdhni për t’i eliminuar politikisht të gjithë ata që ndryshuan kahjen e historisë sonë, ama kot është. E kemi thënë shumë herë; historia është e pamëshirshme, nuk të jep dy shanse të bëhesh pjesë e saj për të mirë”, ka përfunduar Azemi.