Prokuroria Themelore në Gjilan ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit R.F., pasi dyshohet të ketë kryer veprat penale, ‘’Trafikimi me njerëz’’ dhe ‘’Fshehja e dokumentit të identifikimit të viktimave të skllavërisë ose trafikimit me njerëz’’, të Kodit Penal.
“Prokuroria për këtë rast, ka filluar hetimet edhe ndaj të dyshuarës R.A, pasi që dyshohet se në bashkëveprim me të dyshuarin R.F., ka kryer veprat e lartshënuara penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se që nga muaji maj 2003, deri më 4 mars 2019, në Gjilan, i dyshuari R.F., me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror, ka trafikuar fëmijën e posalindur të ish bashkëshortes së tij – të dëmtuarës N.A., në atë mënyrë që pasi e njëjta, kishte lindur në Spitalin Regjional në Gjilan, i dyshuari pa pëlqimin e saj ia kishte dhënë fëmijën, një çifti nga komuna e Preshevës – të dyshuarës R.A. dhe të ndjerit R.A”.
Gjithashtu, të dyshuarit R.F. dhe R.A., me qëllim të përfitimit material kanë falsifikuar dokumentet në regjistrin e lindjes së fëmijëve, në Spitalin Regjional në Gjilan, ku si nënë biologjike të fëmijës e kanë regjistruar të dyshuarën R.A.