Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se nuk është i kënaqur me ligjin e Trepçës.
“Ligji u bë. Por a jemi të kënaqur? Jo, sepse duhet të bëhen ndryshime në këtë ligj”, ka thënë Bahtiri në fjalimin e tij në manifestimin “Java e Minatorëve”.
Ai ka shtuar se “Ata burra që e koordinuan jashtëzakonisht grevën e ishin të pathyer, njëjtë sot Qeveria e Kosovës të jetë e pathyer dhe të merr vendime rreth Trepçës”, është shprehur ai.
Ndër tjerash ai ka thënë që “Mos u shtyni kush do ta merr në mbikëqyrje menaxhmentin e Trepçës, por të punojmë që ky gjigant të mos ngecë”.
Janë bërë 28 vjet prej kur 1.300 minatorë të Trepçës, zgjodhën protestën me grevë urie, për të kundërshtuar politikën e atëhershme, e cila tërhoqi vëmendjen e botës.
Pas përfundimit të grevës, filloi hakmarrja ndaj minatorëve, kur mbi 1200 minatorë u dënuan me nga 30-60 ditë burgim, ndërsa ndaj 14 të tjerëve u zhvillua një proces monstruoz politik.
Me këtë rast është duke u mbajtur një manifestim “Java e Minatorëve” në Stantërg të Mitrovicës.