Bahtiri nënshkroi kontratat për bursa për 50 studentë

Prishtinë | 17 Sht 2019 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Në sallën e Kuvendit Komunal, studentët përfitues të bursës komunale për vitin akademik 2018/2019, kanë nënshkruar kontratat të cilat ua dorëzoi kryetari i komunës, Agim Bahtiri.

Me këtë rast kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i është drejtuar studentëve edhe me një fjalë rasti ku tha se ndjehet krenar si kryetar komune, sepse asnjë studenti që i plotëson kushtet, nuk i është mbyllur dera, sepse secili student që i ka plotësuar kriteret e konkursit do të gëzojë të drejtën e përkrahjes për marrjen e bursës.

“Ju që keni përfituar bursa jeni studentë të dalluar, jeni ardhmëria e qytetit tonë dhe sigurisht përpos ngritjes profesionale, nesër edhe ndonjëri prej jush do të jetë në pozita udhëheqëse në komunë e më lartë. Ju inkurajoj që të mësoni e studioni për të ngritur diturinë tuaj që në të ardhmen të bëheni profesionistë të vërtetë”, ju tha Bahtiri.

Pas nënshkrimit të kontratës, studentët janë shprehur të jenë të kënaqur me ndarjen e këtyre bursave. Disa nga ata janë shprehur të jenë mirënjohës për mbështetjen që komuna po iu ofron, si një motiv shtesë për të vazhduar studimet dhe një lehtësim financiar për familjet e tyre.

Të ngjashme