Bahtiri: Nuk lejoj përshkallëzimin e situatës

Mitrovicë | 03 Shk 2017 | 08:34 | Nga

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë një takimi që pati me shefin e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, tha se me gjithë problemin rreth murit situata në Mitrovicë është e qetë dhe stabile

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, e ka cilësuar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, në jug dhe në veri, me gjithë problemin me murin e ngritur nga serbët dhe i cili gjatë muajit janar ka qenë dashur të rrënohet, ndërsa zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Millan Radojeviq, ka kërkuar që për murin të gjendet një zgjidhje kompromisi, e cila do t’i kënaqte të gjitha palët dhe që do t’i kontribuonte stabilizimit të situatës.

“Të gjithë duhet të kuptojmë se koha e konflikteve ka mbaruar, se tani është koha e paqes dhe e zhvillimit ekonomik për të mirën e qytetarëve”, tha kryetari Bahtiri gjatë një takimi që ka pasur me shefin e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz.

Ndërkaq shefi i Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, tha se bashkëpunimi i ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve është i kënaqshëm dhe për të mirën e qytetarëve, andaj vazhdimi i tij është i nevojshëm. Ai shtoi se dyert e UNMIK-ut janë të hapura gjithmonë për bashkëpunim dhe se do të mbështetë të gjitha aktivitetet e Komunës dhe të kryetarit Bahtiri që kanë për qëllim stabilizimin e plotë të gjendjes së sigurisë dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme