Bahtiri priti ambasadorin gjerman Christian Heldt

Prishtinë | 20 Dhj 2017 | 16:13 | Nga

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt gjatë ditës ka qëndruar në Mitrovicë, me ç’rast është pritur nga kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri, të cilin e ka njoftuar me gjendjen e përgjithshme në këtë komunë.

Fillimisht, kreu i Mitrovicës, e falënderoi ambasadorin gjerman për vizitën dhe interesimin e tij për Komunën e Mitrovicës.

“Ndjej kënaqësi të veçantë që keni gjetur kohë për të na vizituar dhe njoftuar për gjendjen e përgjithshme në Komunën tonë. Por, së pari më duhet të ju them se me ambasadën tuaj dhe drejtuesit e saj kemi pas një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, të cilin jam i bindur se do ta vazhdojmë, madje do ta avancojmë atë në të ardhmen”, tha ai.

Bahtiri po ashtu, i tha ambasadorit Heldt, se edhe raportet ndëretnike në qytetin e Mitrovicës janë përmirësuar dukshëm dhe bashkëpunim ndërmjet Komunës në pjesën jugore dhe asaj në pjesën veriore, përkatësisht të drejtuesve të tyre, bashkëpunim ky që ka ndikuar në përafrimin dhe komunikimin ndërmjet komuniteteve.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, pasi falënderoi Bahtirin për mikpritje, tha se pas Prishtinës ka ardhur për të vizituar Mitrovicën dhe për të mësuar më shumë për të, duke pas parasysh rëndësinë e këtij qyteti.

“Sigurisht se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë për të mirën e qytetarëve. Ne në Mitrovicë jemi të pranishëm përmes Organizatës DIAKONIE e cila ju ka mbështetur me projekte të ndryshme. Mbështetjen dhe bashkëpunimin do ta vazhdojmë edhe në të ardhmen”, tha ai.

Heldt, në vazhdim u interesua të mësoëj më shumë për aspekte të ndryshme të situatës dhe gjendjes së përgjithshme në Mitrovicë.

Të ngjashme