Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka paraqitur kërkesë për lirim me kusht në procesin gjyqësor për pengim të administrimit të drejtësisë, duke ofruar garanci prej 50 mijë eurosh dhe duke u zotuar për respektimin e çdo kushti që mund të caktojë gjykata.
Lidhur me këtë ka reaguar avokati Ardian Bajraktari, duke thënë se kjo kërkesë është legjtiime dhe juridikisht e bazuar.
Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Bjajraktari ka shkruar se në këtë fazë të procedurës, sfida kryesore për gjyqtaren dhe gjykatën nuk është nëse ekziston baza ligjore për lirimin me kusht, por nëse vendimmarrja do të respektojë parimin e barazisë para ligjit dhe konsistencën në zbatimin e standardeve gjyqësore.
Postimi i tij I plotë:
Kërkesa e mbrojtjes së z. Thaçi është legjitime dhe juridikisht e bazuar
Kërkesa e mbrojtjes së z. Hashim Thaçi për lirim me kusht, e shoqëruar me garanci prej 50 mijë eurosh dhe me zotimin për respektimin e çdo kushti që mund të caktojë gjykata, në procesin gjyqësor për pengim të administrimit të drejtësisë, është jo vetëm legjitime, por edhe juridikisht e bazuar.
Në këtë fazë të procedurës, sfida kryesore për gjyqtaren dhe gjykatën nuk është nëse ekziston baza ligjore për lirimin me kusht, por nëse vendimmarrja do të respektojë parimin e barazisë para ligjit dhe konsistencën në zbatimin e standardeve gjyqësore.
Për të bashkakuzuarit tjerë në të njëjtin proces, janë aprovuar tashmë kërkesa të ngjashme për lirim me kusht. Për rrjedhojë, çdo vendim ndryshe ndaj z. Thaçi do të duhej të mbështetej në rrethana të reja, konkrete dhe bindëse, e jo në aplikimin e standardeve të ndryshme për persona që ndodhen në të njëjtën pozitë procedurale.
Po ashtu, administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve kanë përfunduar, duke reduktuar ndjeshëm çdo pretendim për rrezik të ndikimit në proces. Për më tepër, Trupi Gjykues ka vlerësuar edhe më herët se nuk ekziston rreziku i arratisjes në rastin e katër drejtuesve të UÇK-së. Në këto rrethana, bëhet edhe më e vështirë të gjendet një bazë objektive që do të justifikonte vazhdimin e paraburgimit vetëm për njërin prej tyre.
Në fund, besueshmëria e drejtësisë nuk matet vetëm nga vendimet që merr, por edhe nga mënyra se si i merr ato. Zbatimi i të njëjtave standarde në rrethana të njëjta është kusht themelor i barazisë para ligjit. Prandaj, aprovimi i kësaj kërkese do të nënkuptonte që z. Thaçi, së bashku me z. Veseli, z. Krasniqi dhe z. Selimi, në rast të një vendimi lirues në shtator, do të mund të vijnë në Kosovë.