Avokati Ardian Bajraktari, ka folur për moslejimin e organizatave joqeveritare që të monitorojnë procesin e intervistimit të kandidatëve për prokurorë. Sipas tij, kjo lë hapësirë për dyshime.
Ai tha se vetë fakti se refuzohet dhe mungesa e transparencës, lë hapësirë për dyshime, e në këtë drejtim edhe legjislacioni i fushës kundër korrupsionit ndër të tjera e siguron kryerjen e funksioneve publike me integritet që nënkupton të mos jenë të cenueshëm dhe të diskutueshëm edhe në situata tilla.
“Prej proceseve më të rëndësishme të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial është rekrutimi i prokurorëve të rinj, e kur s’e lënë atë të monitorohet, atëherë çka pritet prej një mekanizmi të tillë”, tha Bajraktari, duke shtuar se kusht kryesor është transparenca.
“Më kujtohet kampanja e kryeministrit në një zyrë, kur bënte thirrje te zyrtarët publikë që përmes procesit të sinjalizimit t’i denoncojnë shkeljet, ka qenë një thirrje e jashtëzkonshme e që në fakt pastaj rezultoi që në një numër të caktuar të zyrtarëve nuk e di a kanë qenë apo jo, së paku është proklamuar se kanë qenë sinjalizues të Ministrisë të Tregtisë e të ngjashme dhe i kanë dërgu në procedura disiplinore”, tha Bajraktari.
Ai tha se vetë fakti se është thënë se kanë qenë sinjalizues dhe i kanë dërguar në procedura disiplinore, është një mesazh jashtëzakonisht i keq dhe dekurajues, i cili është prezantuar edhe në raportin e IKD-së.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), përmes një komunikate për medie, të hënën kanë njoftuar se Komisioni për Rekrutim pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), nuk i ka lejuar përfaqësuesit e tyre të monitorojnë procesin për rekrutimin e 28 prokurorëve të rinj të shtetit. /BetimipërDrejtësi