Dhuna në institucionet e arsimit para-universitar në Kosovë, mbetet dukuri shqetësuese edhe pse rastet e tilla janë raste të izoluara, kanë bërë të ditur udhëheqës institucional të arsimit në vend.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë për trajtimin jo të mirë të fëmijëve në kopshte ka marrë ankesa nga ana e prindërve, për çka ka dhënë edhe vërejtje me shkrim apo me gojë për edukatoret e papërgjegjshme.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka thënë se vërejtja ndaj këtyre punëtoreve arsimore është pritur me çudi, pasi sipas saj, edukatoret nuk ishin mësuar asnjëherë të marrin vërejtje për punë e tyre.
“Për të qenë të saktë, kompetenca e vlerësimit të performancës është nga udhëheqësit e shkollës, qoftë nga drejtori i shkollës, qoftë nga drejtoresha e shkollës dhe është kompetencë e inspektorëve të MASHT-it, është e përcaktuar me legjislacionin në fuqi. Megjithatë, si komunë ne po bëjmë vizita të rregullta edhe në kopshte edhe në sh kolla, edhe pse nuk është decidivisht e përcaktuar me ligj, është kompetencë e ministrisë, me qëllim që të sigurohemi që procesi edukativ-arsimor është konform standardeve, ne i bëjmë këto vizita të rregullta. Tashmë kemi filluar edhe me trajtimin e raporteve individuale, edhe ne i kemi pranuar disa ankesa, qoftë nga ana e prindërve, qoftë nga edukatoret për koleget për raste të ndryshme, i kemi bërë këto vizita të rregullta dhe kemi filluar edhe me shqiptimin e masave ndëshkimore. Ka qenë pak të them e çuditshme dhe jo mirë e pranuar qoftë nga shkollat, qoftë nga kopshtet sepse asnjëherë më parë nuk kishin marrë vërejtje, por ne i kemi shqiptuar këto masa, qoftë vërejtje me gojë, qoftë vërejtje me shkrim dhe madje i kemi pas së paku dy raste kur i kemi dhënë vërejtjen e fundit me shkrim si masë e fundit para ndërprerjes së marrëdhënies së punës sepse jemi jashtëzakonisht të interesuar që të bashkëpunojmë me qëllim që të ofrohet një kujdes maksimal sipas standardeve për fëmijët tanë”, ka thënë Nagavci.
Ekzistencën e kësaj dukurie, siç e ka quajtur ai të “shëmtuar” e ka pranuar edhe vet ministri i Arsimit, Arsim Bajrami. Ai ka thënë se sado të pakta dhe të izoluara që mund të jenë këto raste, janë brengosëse dhe i japin imazh të keq gjithë sistemit arsimor.
“Fenomeni i dhunës në shkolla është një dukuri e shëmtuar, sado që është e izoluar ajo është brengosëse, brengosëse dhe është një problem që MASHT e ka marrë me shumë shqetësim, nuk është vetëm një problem arsimor por edhe social, edhe psikologjik edhe i mentalitetit tonë dhe ne kemi qenë shumë të dëshpëruar me disa storie të dhunës, sidomos nga ana e mësimdhënësve, të iu them të drejtën që ne do të marrim masa të vendosura përmes inspektoratit, jo vetë m masa ad-hoc nga rasti në rast, prej denoncimit në denoncim. Testin kombëtar për mësimdhënës do ta mbajmë në shtator apo në tetor, do të jetë një tregues i vërtetë që ndoshta një kategori e vogël e mësimdhënësve janë më shumë të dëmshëm se sa të dobishëm në shkolla dhe për ta duhet të gjejmë një zgjidhje shoqërore dhe edukative. Besoj se numri i mësimdhënësve të tillë nuk shkon përtej 100, nga 24 mijë mësimdhënës mund të kemi 100 mësimdhënës që ndoshta kanë edhe probleme psikike por mjaftojnë këta për të krijuar një imazh të keq sistemit arsimor”, ka deklaruar ministri Bajrami.
Mirëpo, për këtë shqetësim ai ka thënë se ka në plan disa veprime me të cilat mësimdhënësit e tillë mund të pensionohen para kohe.
“Jam duke e zhvilluar një projekt në dy faza, e para që këta të kalojnë ndoshta nga stafi edukativ në stafin profesional që të mos mbetet pa vend pune, e dyta që këta t’i trajnojmë nëse ka nevojë me trajnime shtesë që t’i vetëdijësojmë për respektimin e etikës, të heqin dorë nga arroganca dhe nga dhuna por nëse edhe kjo nuk bënë punë, atëherë duhet të gjejmë një model të pensionimit, pensionimit të parakohshëm që të Iu vlejë stazhi 4-5 vjet apo 5-6 vjet dhe t’i pensionojmë sepse këta reflektojmë jashtëzakonisht keq, sa do që është dukuria e izoluar, vetëm një storie ku një mësimdhënës apo edukatore përdorë dhunë është një mesazh i keq”, ka deklaruar ministri Bajrami.
Në kryeqytet kohëve të fundit kanë ndodhur disa raste të ankesave nga prindërit për keqtrajtimin e fëmijëve të tyre nga ana e edukatoreve, për të cilat DKA në Prishtinë i ka filluar vizitat më të shpeshta nëpër institucionet e arsimit parafillor.
Në internet kohëve të fundit kanë qarkulluar edhe video të ndryshme të dhunës në për shkolla, për të cilat ende nuk është marrë asnjë veprim ndëshkues./Koha/