Bajrami: Por bëjmë reforma gjithëpërfshirëse, për fuqizimin e sektorit privat

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 20:07 | Nga

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, sot mori pjesë në hapjen e Panairit dhe Forumit të Biznesit në Prizren, ku pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve qendrore, përfaqësues të komunitetit të biznesit nga Kosova dhe rajoni.

Në adresimin e saj para pjesëmarrësve, ministrja Bajrami përgëzoi organizatorët për realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për ekonominë e Prizrenit por edhe të Kosovës. Ajo vuri në pah se pjesëmarrja e shumë kompanive, e përfaqësuesve nga asociacionet e biznesit nga rajoni e më gjerë është inkurajuese, sepse në këtë mënyrë rezultatet e panairit përcillen edhe me diskutime të rëndësishme rreth rritjes së nivelit të bashkëpunimit dhe rreth gjenerimit të ideve të reja në fushën e biznesit dhe bashkëpunimit ekonomik.

Sipas Bajramit, Qeveria e Kosovës po punon që politikat në lidhje me biznesin të bëhen në koordinim me komunitetin e afaristëve.

“Ne kemi arritur të ndërtojmë një platformë të mirë të dialogut në mes institucioneve publike dhe komunitetit të biznesit përmes komunikimit të drejtpërdrejt si ministri, por edhe në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku bizneset e Kosovës, por edhe ato të huaja që operojnë në Kosovë, janë të përfaqësuara si aktorë të barabartë qoftë në dhënien e ideve apo të marrjes së vendimeve”, theksoi Bajrami.

Ajo shtoi se promovimin e prodhimit vendor dhe mbështetjen e eksportit e kemi pjesë të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim, dhe këtë komponentë ne si qeveri do ta trajtojmë me prioritet, u zotua ministrja.

Bajrami tha se MTI-ja po punon ngushtë me komunat e Kosovës për t’i ndihmuar ato në funksionalizimin e zonave industriale, ku prodhuesit do të mund të operonin më lehtë dhe me kosto më të lirë operative, dhe njëkohësisht duke i ftuar edhe donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare të na ndihmojnë.

Në fund, ministrja Bajrami nënvizoi se qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë punën për ndërmarrjen e reformave gjithëpërfshirëse, të cilat kanë synim të qartë fuqizimin e sektorit privat, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit tonë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme