Balaj: Z-mobile i shkaktoi Telekomit dëm mbi 200 milionë euro

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 09:23 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka filluar intervistimin për ish-zyrtarët nga Departamenti Kundër Mashtrimeve në PTK, raporton Ekonomia Online.

Lamih Balaj, Kryetar i Sindikatës së Pavarur së PTK-së, gjatë intervistimit ka përmendur një prej kompanive të dëmshme që kanë pasur kontratë me Telekomin.

Ai tha se kontrata me Z-mobile është e ndërtuar mbi aferat korruptive.

“Për mua gjithçka që është e ndërtuar rreth kësaj kontrate është mbi afera korruptive që kanë përfituar njerëzit në vazhdimësi. Të gjitha janë kontrata të dëmshme sepse kemi kapacitet vetë me i kry këto punë, kontratat e re e rrjetit optik gjitha për ne si sindikatë janë të ndërtuara mbi afera korruptive sepse ne nuk kemi pas nevojë për këto kontrata, këto kontrata e kanë sjellë në këtë gjendje Telekomin. Janë lidhur kontrata për shitje me kompani qe neve nuk ka janë dashur asgjë”, tha ai.

“…Ne ju kemi proklamuar me i shkëput këto kontrata sepse nuk ka nevojë, me secilën shitore e trafik nuk ka pasë fshat në Kosovë që ne nuk kemi pas kontratë me bë shitjen, tash e kanë bërë të njëjtën vetëm ia kanë dhënë kompanisë private me fitu 30% mendoj se duhet shkëputur gjitha këto kontrata. Të hyrat në 2010-19 për Z-mobile janë 87 milionë, fitimi 54 milionë ne dyshojmë në këto të dhëna ne mendojmë se këto të dhëna që janë më shumë. Të hyrat e Telekomit 2010-19 vetëm nga kontrata Z-mobile janë 48 milionë, dy fish e ka më shumë Z-mobile, fitimet janë vetëm 13 milionë, humbjet janë 17 milionë e gjysmë në humbje jemi që janë letra zyrtare”.

Ai tha se Z-mobile, Telekomit i ka shkaktuar mbi 200 milionë euro dëme.

“Kontrata  me Z-mobile Telekomit i ka shkaktuar mbi 200 milionë euro dëm. Mbi 200 milionë janë dëme që jemi dëmtuar me nxënie të trafikut të tyre sepse më shumë ka trafik ai se sa ne”, tha ai.

Balaj tha se Këshilltari i ish-kryeshefit ekzekutiv, Shyqyri Haxha, dhe këshilltari i kryeshefit tjetër, Agron Mustafa, Fatos Shema ka shku zëvendës drejtor në Z-mobile dhe ky mund të jetë kryesori për këto keqpërdorime.

Balaj tha se kur e kanë vërejtur për keqpërdorimet që janë duke u bërë në Telekom, tha se në vazhdimësi i janë dërguar shkresa institucioneve dhe medieve për publikim, por që nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Balaj tha se mediet janë ftuar në konferenca, por asnjëra nuk ka shkuar sipas tij për shkak të ndikimit që është bërë në to.

Balaj tha se duhet bërë presion për t’i parë të gjitha aneks kontratat. Sipas tij, asnjë kontratë nuk është më e dëmshme se sa ato kontrata.

Ai tha se kur të ndalet rryma, Vala nuk funksionon sepse antenat janë të nxëna dhe janë pa mirëmbajtje të gjeneratorit dhe naftës. Arsye tjetër është edhe trafiku i nxënë që Vala është ngushtuar si centralë me rrjetin e Z-mobile.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka vazhduar intervistimin e ish-zyrtarëve nga Departamenti Kundër Mashtrimeve në PTK, Arsim Gjinovci, Muhamet Xhemajli, Shkelzen Blajakj.

Intervistimi i tyre nga komisioni u mbajt në dyer të mbyllura për medie me kërkesën e të intervistuarve.

Të ngjashme