Real Madridi do të luajë pa Gareth Bale në ndeshjen e të martës mbrëma në Ligën e Kampionëve kundër Bayern Munichut – ka bërë të ditur Zinedine Zidane.
Uellsiani ka probleme me lëndim, ashtu që trajneri i Los Blancos nuk dëshiron të rrezikojë në asnjë moment, kur kihet parasysh se ai mungoi tre muaj si pasojë e dëmtimit.
“Gareth është angazhuar shumë që të kthehet dhe të luajë me skuadrën, pas mungesës tremujore nga lëndimi, ai u kthye dhe ishte shumë i entuziazmuar që po luante sërish”.
“Por, ai ka një problem të vogël që i është rikthyer. Shpresojmë që të mos jetë asgjë. Pas disa ditësh, ai pritet të na bashkëngjitet”.
“Nesër (e martë) nuk do të jetë i gatshëm. Nuk duam ta rrezikojmë, por pritet të jetë gati së shpejti”, ka thënë Zidane në konferencën për shtyp.
Kur është pyetur se a do të mund të luajë Bale në El Clasico të dielën ndaj Barcelonës, përgjigja e tij ishte: “Nuk e di. Shpresoj që të jetë me ne. Nuk mund t’ju them asgjë me siguri”.