Balla për zhdukjen e Ervis Martinajt: Policia ka shumë informacione, por mungon dokumentimi i plotë

Prishtinë | 04 Jan 2024 | 14:21 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka thënë se Policia e Shtetit ka shumë informacionet për zhdukjen e bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, por që sipas tij, mungon dokumentimi i plotë për zbardhjen e çështjes.

Ervis Martinaj është zhdukur qe një vit e gjysmë.

Në një konferencë për media të enjten, Balla ka thënë se mezi pret që sapo të zbardhet çështja të dalë të sqarojë publikun për fatin e Martinajt.

“Policia ka shumë informacione për këtë çështje, por për sa kohë që dokumentimi i plotë i saj kërkon ende kohë, kërkon ende mund dhe angazhim nga ana e strukturës së Policisë së Shtetit, unë nuk do të jap informacion të plotë. Dua t’ju garantoj që në momentin që do të kem një pasqyrë të plotë të të gjithë kësaj çështje, mezi pres që të dalë para jush për të sqaruar publikun. Mendoj që është një ngjarje e rëndë, e rëndësishme, e cila ka të bëjë edhe me gjithë këto indikatorë të rëndësishëm të performancës së punës së Policisë së Shtetit. Mund t’ju garantoj që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e di fare mirë këtë gur peshe të rëndë sikurse është urdhri i kryeministrit dhe që po bëjmë gjithçka është e mundur t’i shkojmë deri në fund zbardhjes së kësaj çështje. Nuk po hyj në shumë detaje sepse nuk dua të jap informacione të klasifikuara sekret”, u shpreh Balla.

Ervis Martinaj është denoncuar i zhdukur nga familjarët prej gushtit të vitit 2022. Ishte një personat më të rëndësishëm të krimit në Shqipëri.

Të ngjashme