Banesat “egjeli” i shumë të rinjve në Prishtinë

Prishtinë | 28 Sht 2016 | 14:52 | Nga

Ditëve të fundit Prishtina është bërë “vatër” e vetëvrasjeve. Vetëm brenda dy ditëve të fundit, dy persona u hodhën nga ndërtesat.

Dje në lagjen “Mati 1” një person u hodh nga kati i gjashtë i një ndërtese, ku fatmirësisht pësoi vetëm lëndime trupore. Ndërkaq sot një vajzë rreth të 34-ve u hodh nga ndërtesa në lagjen “Dardania”e cila fatkeqësisht ndërroi jetë në vend të ngjarjes.

Lidhur me këtë fenomen, sociologu Fadil Maloku fajin i ja lë ndryshimeve të mëdha sociale dhe situatave në vend.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ndryshimet e mëdha sociale, situatat e reja brenda një kohe të shkurtër kanë bërë që qytetarët të përjetojë stres dhe të arrijnë te kjo situatë, e pazgjidhshme dhe pa rrugëdalje.

“Vetëvrasja, në të shumtën e rasteve bazohet në humbjen e shpresës për jetë e në disa raste në vet kënaqësinë perverse të shkaktimit të dhimbjeve ndaj vetvetes. Ka raste, kur këndvështrohet edhe si akt i pakuptimit dhe paradoksal që mund të përshkruhet si sjellje devijante dhe patologjike. Ky fenomen, zakonisht paraqitet si pasojë e bashkëveprimit të disa faktorëve që mund ta nxisin atë”, ka thënë Maloku.

Maloku më tej ka theksuar se fare qartë mund të dallojmë faktorët që ndërlidhen me vetëvrasjen.

“Në mesin e këtyre faktorëve mund të identifikojmë disa që u përshtaten rrethanave dhe ambientit tonë social e ato janë zakonisht: mungesa e kohezionit në familje, depresioni dhe historia familjare, pakënaqësia me statusin shoqëror, pamundësia e arritjes së ndonjë qëllimi qoftë në sferën emotive, apo atë sociale, paperspektiva në jetë, pamundësia e gjetjes së vetes në situatë transformuese etj”, u shpreh Maloku.

Sociologu më tej ka shtuar se mjerisht në shoqërinë kosovare akoma nuk ka studime kredibile lidhur me shkaqet, por edhe pasojat që mund të sjellë ky fenomen.

“Në vendet tjera bëhen hulumtime në nivel kombëtar, ngase rritja e numrit të këtij fenomeni, vetvetiu i mobilizon institucionet shtetërore të deshifrojnë si shkaqet ashtu edhe pasojat. Unë jam shumë i bindur që Kosova ka specifikat e veta kur është në pyetje ky fenomen vetëm se ato duhet të identifikohen, të interpretohen dhe të shpjegohen”, u shpreh Maloku.

Ndërkaq vetëm gjatë vitit 2015 sipas zëdhënësit të policisë, Daut Hoxha kanë ndodhur rreth 70 vetëvrasje në Kosovë.

“Lidhur me rastet e vetëvrasjeve që ju keni potencuar, policia i heton rastet kur dyshohet se presoni është shtyrë të bëjë një veprim të tillë , pra “shtyrja në vetëvrasje dhe ndihma në vetë vrasje” është vepër penale”, ka thënë Hoxha për Telegrafin.

Ai ka shtuar se sa i përket faktorëve që ndikojnë në këto rrethana janë të ndryshme dhe kjo është më shumë çështje sociale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme