Bordi i Drejtorëve të Bankës Botërore në Uashington ka aprovuar projektin e kredisë së butë në vlerë prej 14.3 milionë euro për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përmes të cilit do të mbështetet fuqizimi i konkurrencës dhe gatishmërisë për eksport për ndërmarrjet kosovare.
Ky projekt është i një rëndësie të madhe për ndërmarrësit kosovarë dhe do të ndihmojë Kosovën në rritjen e pozitës së saj konkurruese si dhe kapacitetin e prodhuesve kosovarë për eksportim të produkteve të tyre në tregjet ndërkombëtare.
Projekti do të ndihmojë në zvogëlimin e kostove për firmat për testimin e produkteve dhe marrjen e certifikatave të njohura ndërkombëtarisht duke ua hapur rrugën për depërtim në tregjet e rajonit, Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Po ashtu, ky projekt do të mbështes procesin e reformimit të sistemit të inspektimeve në Republikën e Kosovës duke ulur numrin e inspektimeve të biznesit por duke rritur efikasitetin e tyre.
Firmat kosovare do të përfitojnë nga kostot e ulëta për këto shërbime, ndërsa një numër i konsiderueshëm do të marrin grante përputhëse për t’i ndihmuar ato në marrjen e certifikatave dhe realizimin e standardeve të produkteve, si dhe në shfrytëzimin e shërbimeve për zhvillim të biznesit. Këto iniciativa që do të realizohet përmes këtij projekti janë dizajnuar ashtu që nga ato të përfitojnë drejtpërdrejt konsumatorët në Kosovë, të cilët do të fitojnë mbrojtje të shtuar nga produktet e cilësisë së ulët.
Projekti në fjalë do ta ndihmojë Agjencinë Kosovare të Metrologjisë (AKM) dhe Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës, të cilat funksionojnë në kuadër të MTI-së,për t’u kualifikuar për t’i nënshkruar marrëveshjet për njohje me Komitetin Ndërkombëtar të Peshave dhe Masave dhe Forumin Ndërkombëtar për Bashkëpunim/Akreditim të Laboratorëve. Ky kualifikim mund të mbështesë qëndrueshmërinë e Sistemit Kombëtar të Infrastrukturës së Cilësisë të Kosovës. Këto përpjekje do të ndihmojnë si këtë sistem ashtu dhe laboratorët e vendit që të njihen më tej në tregjet me vlerë të lartë, të tilla si Bashkimi Evropian – duke zvogëluar kostot për firmat për marrjen e raporteve dhe certifikatave të testimit të njohura ndërkombëtarisht. Gjithashtu, projekti do të financojë blerjen e pajisjeve, do të lehtësojë trajnimin, dhe do të fusë në përdorim dhe do të përmirësojë sistemet e TIK-ut për të mbështetur Qeverinë e Kosovës në reformimin e sistemeve të saj të inspektimit të biznesit.
Projekti është një kredi nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA) e Grupit të Bankës Botërore, që është një fond për vendet me nevojat më të mëdha për zhvillim. Kreditë e IDA-s jepen me kushte koncesionare me interes zero ose shumë të ulët dhe periudha të gjata të kthimit. Afati i maturimit të huas është 25 vjet, duke përfshirë një grejs periudhë 5 vjeçare. Projekti do të zbatohet nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, gjatë një periudhe prej pesë vitesh.