Banka Botërore konfirmon përkrahjen për “Kosovën e Re”

Prishtinë | 22 Pri 2017 | 10:58 | Nga

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, dhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, së bashku me ekipin përcjellës në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, janë takuar me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Cyril Muller, drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore Franciscus Godts, dhe drejtoreshën për Ballkan Perëndimor Ellen Goldstein.

Në këto takime u diskutua për zhvillimet e fundit ekonomike në Kosovë, progresin në implementimin e projekteve të financuara nga Banka Botërore, si dhe për financimin e projekteve të reja, sipas një komunikate të Ministrisë së Financave.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore thuhet se falënderuan ministrin Avdullah Hoti për bashkëpunimin dhe u zotuan për mbështetje të mëtutjeshme të projekteve me interes publik në Kosovë, të cilat projekte tani më janë aprovuar nga Qeveria e Kosovës, si pjesë e listës së projekteve për financim përmes Klauzolës për Investime.

Në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke përfshirë edhe zhvillimet për projektin “Kosova e Re”, për çka Banka Botërore rikonfirmoi zotimin e tyre për përkrahjen e këtij projekti me rëndësi.

Po ashtu u diskutua edhe për strategjinë e re të Bankës Botërore për Kosovë, në të cilën strategji reflektohen prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Me këtë rast, u bë e ditur se Ministria e Financave ka dërguar komentet në draftin e këtij dokumenti tek Banka Botërore, dhe pritet që këto komente të integrohen në draftin final.

Delegacioni i Republikës së Kosovës po ashtu mori pjesë edhe në takimet e Konstituencave, anëtare e të cilave është edhe Kosova, ku u diskutuan raportet e ndryshme zhvillimore në Fondin Ndërkombetar Monetar dhe në Bankën Botërore.

Të dyja palët u pajtuan që në muajin e ardhshëm të organizojnë një tryezë në Prishtinë, me organizatat e shoqërisë civile për të promovuar mundësitë që kanë OJQ-të në Kosovë për qasje në fonde të Bankës Botërore, pas letrës që ka dërguar Ministri Avdullah Hoti në Bankë Botërore lidhur me “Global Partnership For Social Accountability”.

Të ngjashme