Barça e Reali mbyllin vitin në krye me gjithë lëshimet

Prishtinë | 26 Dhj 2019 | 10:19 | Nga Ekonomia Online

Ndonëse Barcelona e Real Madridi nuk po tregohen dominues si stinorët e kaluar, dy superfuqitë e futbollit spanjoll prapë janë në krye të La Ligas në pushim dimëror.

Barcelona e Lionel Messit do të futet në vitin 2020 me një epërsi prej dy pikëve ndaj Real Madridit që zë vendin e dytë, ndërsa janë luajtur 18 nga 38 xhirot, shkruan AP, transmeton Koha Ditore.

Barcelona nisi ngadalë duke shënuar vetëm dy fitore në pesë xhirot e para, ndërsa përforcimit Antoine Griezmann iu desh pak kohë për t’u përshtatur me Messin e Luis Suarezin. Skuadra katalonjase përfundoi vitin pa humbje në shtatë xhiro.

“Ka kohë kur fiton ligën me dallim të madh dhe të gjithë presin që të mbyllësh çdo gjë muaj para xhiros së fundit, kështu që humb entuziazmi”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, që po kërkon titullin e tretë të Spanjës me skuadrën. “Është më emocionale kur e fiton ligën në xhiron e fundit dhe me një pikë dallim”.

Real Madridi ka pësuar një humbje deri më tash në ligë këtë stinor, 1:0 në udhëtim ndaj Mallorcas në tetor, por ka barazuar shtatë herë, përfshirë në tri ndeshjet e fundit. Po vazhdojnë problemet e golave, qëkur Cristiano Ronaldo u largua në verën e vitit 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme