Barça ka bërë dy hapa para drejt mbrojtjes së titullit

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 15:05 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, ka vlerësuar se skuadra e tij ka bërë dy hapa para drejt mbrojtjes së titullit të La Ligas, pasi të shtunën mbrëma mposhti përcjellësin e parë Atletico Madridin me rezultatin 2:0 në “Camp Nou”, për të rritur epërsinë në 11 pikë në krye të renditjes.

Deri në fund kanë mbetur edhe shtatë xhiro. Barcelona kishte pasur vështirësi të thyente mbrojtjen e fortë të Atleticos, ndonëse skuadra madrilene kishte mbetur me një lojtar më pak në fushë pasi Diego Costa u përjashtua me karton të kuq në minutën e 28-të për fyerje ndaj referit, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Por Suarez më në fund mposhti portierin e jashtëzakonshëm Jan Oblak në minutën e 85-të.

Kapiteni Lionel Messi shënoi golin e dytë një minutë më vonë dhe 90 mijë tifozë në stadiumin “Camp Nou” nisën thirrjet “kampionë”, ndërsa Barça po i afrohet titullit të tetë në 11 vjet. Për Messin ishte fitorja e 335-të në La Liga duke u bërë rekordmen. Ai kishte ndarë vendin e parë me ish-portierin e Real Madridit, Iker Casillas me nga 334 fitore.

“Ne kemi bërë jo një, por dy hapa para. Qartë kemi një avantazh të madh tash, por ka ende disa ndeshje dhe mund të bëhet vështirë”, ka deklaruar Suarez. “Kjo është një ndeshje tjetër që dëshmon se sa e vështirë është të fitosh ligën dhe ne meritojmë përgëzime për këtë që jemi duke arritur”.

Humbja ndaj Atleticos do të kishte zvogëluar epërsinë e Barcelonës në pesë pikë dhe trajneri i Barçës, Ernesto Valverde, ka vlerësuar rëndësinë e fitores së skuadrës katalonjase.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme