Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar se kanë nisur punimet për zgjidhjen e problemit të grumbullimit të ujërave në nënkalimin e Mazgitit, duke theksuar se synimi është eliminimi i shkakut të problemit dhe jo vetëm sanimi i dëmeve.
Përmes një postimi, Basha tha se në këtë lokacion prej kohësh është paraqitur problematika e grumbullimit të ujit në trupin e rrugës, ndaj ka kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme para se të vazhdohet me asfaltimin.
“Te nënkalimi në Mazgit prej kohësh përballemi me grumbullimin e ujërave në trupin e rrugës. Prandaj, kam kërkuar që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë problem, e më pas të vazhdohet edhe me sanimin e gropave, të cilat gjithashtu paraqesin problem për qarkullimin”, ka shkruar Basha.
Ai bëri të ditur se në vendngjarje është angazhuar edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, e cila ka ndihmuar në pastrimin e kanaleve.
“Në vendngjarje kemi ftuar KRU ‘Prishtina’, e cila ka qenë shumë bashkëpunuese dhe na ka ndihmuar në pastrimin e kanaleve, megjithatë, pas pastrimit është konstatuar se kanali atmosferik nuk ka qenë i lidhur me kolektorin”, theksoi ai.
Sipas Bashës, operatori ekonomik i ngarkuar me sanimin e rrugës do të kryejë edhe lidhjen e kanalit atmosferik me kolektorin, para se të vazhdojë me asfaltimin.
“Operatori ekonomik, i cili është urdhëruar ta sanojë rrugën, po e realizon vullnetarisht lidhjen e kanalit atmosferik me kolektorin, dhe pas përfundimit të lidhjes do t’vazhdojë me asfaltim”, u shpreh ministri në detyrë.
Basha falënderoi institucionet për bashkëpunimin dhe theksoi se Ministria e Infrastrukturës po punon për zgjidhje afatgjata.
“I falënderoj të gjithë për bashkëpunimin, dhe ne si Ministri, në koordinim me të gjitha institucionet përgjegjëse, po angazhohemi që të kryejmë sanime, por edhe t’ju paraprijmë problemeve dhe t’i adresojmë ato me zgjidhje afatgjata”, shtoi ai.