Bashkëpunimi ndërinstitucional, rruga e vetme për promovimin e paqes

Prishtinë | 30 Mar 2017 | 15:59 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Besimtarët myslimanë së bashku me prijësit e tyre fetarë janë dhe do të jenë bashkëpunues si dhe promotorë të vlerave paqësore. Toleranca dhe bashkëjetesa ndërfetare në vendin tonë është meritë e popullit dhe institucioneve fetare e në asnjë mënyrë meritë e politikanëve.

Kështu u tha në konferencën me temë  “Bashkëpunimi rruga e vetme për promovimin e paqes”, të organizuar nga Forumi i rrjeteve sociale “Xhemati i Prishtinës”.

Drejtori i Institutit “KIMES”, Amir Ahmeti tha se toleranca dhe bashkëjetesa në vendin tonë është mjaft e njohur.

“Toleranca apo bashkëjetesa ndërfetare në trojet tona është mjaft e njohur dhe kemi një traditë shekullore dhe krejt kjo është fal vigjilencës, vetëdijes dhe traditës së popullit tonë. Pra është meritë ekskluzive e popullit tonë dhe institucioneve fetare dhe jo në asnjë mënyrë e politikës ose politikanëve por është vlerë e shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Sipas tij kohëve të fundit në vendin tonë aq shumë flitet për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin thuajse kanë ndodhur dhjetëra akte terroriste, pavarësisht që nuk kemi asnjë rast të tillë.

Ndërsa duke folur për bashkëpunimin në mes institucioneve shtetërore me bashkësitë fetare, Ahmeti ka konsideruar se në këtë pjesë kemi çalim.

“Bashkëpunimi është një element shumë i rëndësishëm me institucionet shtetëror me bashkësitë fetare. Unë konsideroj se këtu kemi çaluar dhe nuk konsideroj së bashkëpunim i mirëfilltë mund me u quajt kur krerët e institucioneve vizitojnë bashkësitë fetare për Bajram ose për Pashkë dhe me aq përfundon edhe raporti ndërmjet institucioneve dhe shtetit. Mendoj se kjo qasje është e gabueshme dhe raportet duhet me qenë më të mirazhe më të avancuara institucionale me bashkësitë fetare”, ka pohuar Ahmeti.

Ai ka thënë se qasja e avancuar mes institucioneve dhe bashkësive fetare mund të zhvillohet gjatë përpilimit të ligjeve, përpilimit të udhëzimeve administrative, vendimeve ekzekutive dhe se vetë në këtë mënyrë këto të fundit mund të jenë bashkëpunuese.

Kurse Arian Xhezairi, drejtor i qendrës “QESH”, ka pohuar se nuk është brengë e islamit që të promovojë vetëm paqe.

“Me nocionin dhe narrativën se islami është fe e paqes dhe se ne provojmë paqe unë si pjesëtar i komunitetit mysliman nuk jam personalisht i kënaqur për arsye se mendoj që në mënyrë ekskluzive nuk është barra dhe brenga e islamit e vetme që të promovojë dhe të sjellë paqe”, ka theksuar ai.

Ai ka thënë se komuniteti mysliman po vazhdon të viktimizohet.

“Komuniteti mysliman këtu përkundër të gjitha persekutimeve, përkundër të gjitha linçimeve, gjuhës denigruese që përdoret në mediume në popull vazhdon akoma me u viktimizu dhe me e pozicionu veten si viktimë duke ofruar të kundërtën e asaj që ne jemi paqësorë dhe ne kemi me përhap vetëm paqe”, ka pohuar Xhezairi.

Në konferencë u tha se një bashkëpunim i gjithëmbarshëm është më se i nevojshëm, në mënyrë që ajo pjesë e shoqërisë, në këtë rast besimtarët myslimanë, të mos e shohin veten të stigmatizuar dhe të nëpërkëmbur nga institucionet shtetërore, kur këto të fundit pretendojnë  se po e luftojnë ekstremizmin.

 

Të ngjashme