Bashkia e Shkodrës kërkon marrjen e masave shtesë për pandemi

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Bashkia e Shkodrës i është drejtuar me një letër institucionit të Prefektit dhe Komisionit të Mbrojtjes Civile, të cilëve iu ka kërkuar marrjen e masave shtesë në këtë qark për të përballuar përhapjen e mëtejshme të pandemisë së koronavirusit.

Në letrën e kryetares Voltana Ademi kërkohet rritja e numrit të testimeve në territorin e bashkisë dhe pjesëmarrjen e Bashkisë në procesin e vendimmarrjes së gjurmimit dhe identifikimit të personave në risk duke qenë se numri i rasteve pozitive në institucionet publike po shtohet.

“Me qëllim sigurimin e mbrojtjen e qytetarëve dhe vazhdimësisë së shërbimeve bazë ne territor kërkojmë:

1. Rritjen e numrit të testimeve në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
2. Pjesëmarrjen e Bashkisë Shkodër në procesin e vendimmarrjes së gjurmimit, identifikimit të personave në risk për shkak të kontaktit me individ të konfirmuar pozitiv me COVID19.
3. Kryerjen e testimit për personelin që shërben në rrugë dhe në kontakt me qytetarët: personeli i spitalit rajonal, shërbimit shëndetësor parësor, policisë së shtetit, policisë bashkiake, punonjësve të UKSH Shkodër, punonjësve të shërbimit social, vullnetarëve, punonjësve të shërbimit të pastrimit dhe gjelbërimit, shpërndarësve të postës shqiptare, etj.
4. Informimin zyrtar për familjet dhe individët e konfirmuar pozitiv në territorin e Bashkisë Shkodër”, shkruhet në letrën e Voltana Ademit.

Disa ditë më parë ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj njoftoi shkarkimin e prefektit të Shkodrës, Çesk Millja për shkak të situatës së krijuar me pandeminë në këtë qark dhe zëvendësimin me një koordinator për mbarëvajtjen e punës që është zv/ministri Besfort Lamallari.

Të ngjashme