Bastisje masive nga Prokuroria e Prizrenit ndaj ish-drejtuesve të Byros Kosovare të Sigurimeve

Foto ilustruese
Prishtinë | 08 Jan 2026 | 08:39 | Nga Ekonomia Online

Operacioni i Prokurorisë së Prizrenit është drejtuar nga tetë prokurorë dhe është udhëhequr nga Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Kallxo.com raporton se në listën e të dyshuarve janë 45 qytetarë, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), si dhe Drejtori i Financave të kësaj byroje. Ata dyshohen se kanë përfituar kundërligjshëm duke keqpërdorur pozitën zyrtare dhe besimin.

Rolin kryesor në dëmin që pretendohet se i është shkaktuar buxhetit të Byrosë, në vlerë mbi 1 milion euro, e kanë pasur dy zyrtarë të lartë të BKS-së: Sami Mazreku dhe Valon Berisha, ky i fundit në cilësinë e drejtorit të financave.

Sipas dyshimeve, Mazreku dhe Berisha kanë marrë llogaritë bankare të 45 qytetarëve, tek të cilët kanë transferuar mjete financiare përmes marrëveshjeve të parapërgatitura, nga të cilat kanë përfituar mijëra euro.

Po ashtu, ata dyshohet se kanë identifikuar qytetarë të përfshirë në raste aksidentesh trafiku, të cilëve u janë transferuar para me arsyetimin e kompensimit të dëmeve. Me këta qytetarë janë bërë marrëveshje që një pjesë e vogël e mjeteve t’u mbetej atyre, ndërsa pjesa më e madhe e shumës së transferuar të përfundonte te Mazreku dhe Berisha.

Pronat e ish-drejtuesve të Byros Kosovare të Sigurimeve (BKS) janë cak i një bastisjeje masive që ka nisur në orët e hershme të mëngjesit. Bastisjet, të udhëhequra nga Prokuroria e Prizrenit, kanë për objekt pronat e ish-drejtorit të BKS-së, Sami Mazreku, si dhe të paktën një ish-zyrtari tjetër të kësaj byroje.

Dyshimet e këtij operacioni lidhen me manipulime të mundshme në kompensimin e dëmeve.

Në operacion janë angazhuar mbi 300 policë nga njësitë për krime ekonomike dhe financiare, ndërsa aksioni po zhvillohet në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Drenasit, Pejës dhe Obiliqit, Pejës, Gjakovës, Rahovecit, Drenasit, Podujevës, Dragashit e Ferizaj.

Të ngjashme