BE-ja do të marrë edhe 50 milionë vaksina kundër COVID-19 deri në fund të qershorit

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se Bashkimi Europian do të marrë edhe 50 milionë doza të vaksinës “Pfizer” kundër COVID-19 deri në fund të muajit qershor.

Von der Leyen tha që dozat totale që vendet e BE-së do të marrin nga Pfizer tani do të jenë 250 milionë në tremujorin e dytë të këtij viti, shkruan Euronews.

“Kjo do të ndihmojë thelbësisht në konsolidimin e shpërndarjes së fushatave tona të vaksinimit. Unë dua të falënderoj BioNTech-Pfizer”, tha Von der Leyen.

“Është provuar të jetë një partner i besueshëm. Ata kanë përmbushur zotimet e tyre dhe është janë të përgjegjshëm ndaj nevojave tona”.

Pfizer ishte zotuar më parë për shpërndarjen e 500 milionë dozave të vaksinës së saj para fundit të vitit.

Von der Leyen gjithashtu njoftoi se më shumë se 100 milionë doza të vaksinave janë administruar në të gjithë bllokun e 27 vendeve.

“Ky është një moment historik për të cilin mund të jemi krenarë. Nga këto 100 milion vaksina, më shumë se një e katërta janë doza të dyta – që do të thotë se tani kemi më shumë se 27 milionë njerëz, të vaksinuar plotësisht,” shtoi ajo.

Përveç Pfizer, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka aprovuar përdorimin e vaksinave të zhvilluara nga Moderna, AstraZeneca/Universiteti i Oksfordit dhe Johnson&Johnson.

Moderna pritet të japë 360 milionë doza këtë vit ndërsa BE-ja ka blerë 200 milionë doza të vaksinës së vetme Johson&Johnson, e njohur gjithashtu si Janssen.

Të ngjashme