BE-ja i mban 4 orë në takim armiqtë e përbetuar – udhëheqësit e Armenisë e Azerbajxhanit

Prishtinë | 15 Dhj 2021 | 09:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se kryeministri armen, Nikol Pashinian, dhe presidenti azer, Ilham Aliyev, zhvilluan bisedime domethënëse në Bruksel, të ndërmjetësuara nga BE-ja.

Këshilli Evropian tha përmes një deklarate se Aliyev dhe Pashinian u pajtuan se duhet të merren hapa të mëtejmë të prekshëm për uljen e tensioneve dhe krijimin e një atmosfere të favorshme para bisedimeve të planifikuara për demarkacionin, shkruan Free Europe.

Michel i siguroi të dy udhëheqësit për përkushtimin e BE-së për të punuar ngushtë me Armeninë e Azerbajxhanin “për tejkalimin e konfliktit, krijimin e bashkëpunimit dhe një atmosfere të besimit, me synim drejt paqes së qëndrueshme në rajon përfundimisht të mbështetur nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes”, thuhet më tej në deklaratë.

Zyrtari i lartë evropian gjithashtu tha se Armenia dhe Azerbjaxhnai janë pajtuar për ta nisur procesin e rivendosjes së infrastrukturës së komunikimit mes dy vendeve, përfshirë një lidhje hekurudhore me kontrollimin e kufirit dhe doganave.

Pas bisedave telefonike me Michel-in muajin e kaluar, udhëheqësit e Armenisë dhe Azerbajxhanit u pajtuan për të krijuar një linjë të drejtpërdrejtë të komunikimit në nivelin e ministrave të Mbrojtjes për të shërbyer si mekanizëm për parandalimin e incidenteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme