Komisioni Evropian e ka paraqitur një propozim për ndryshimin e legjislacionit të BE-së për Fondin e Solidaritetit, në mënyrë që burimet e këtij fondi të mund të përdoren edhe nga vendet anëtare, por edhe nga vendet që janë në procesin e negociatave për anëtarësim, ku përfshihen Serbia, Mali i Zi dhe Turqia.
Shfrytëzimi i këtij fondi do të mund të bëhej në rast të emergjencave shëndetësore.
“Kriza me të cilën përballemi për shkak të koronavirusit ka dimension të konsiderueshëm njerëzor dhe ndikim të madh ekonomik. Si pjesë e kësaj përgjigjeje të përbashkët, Fondi i Solidaritetit i BE-së mund të luajë një rol të rëndësishëm në shfaqjen e solidaritetit të BE-së ndaj vendeve anëtare që përballen me situata emergjente”, thuhet në propozim.
Fondi i Solidaritetit është krijuar në vitin 2002, por më parë përdorej vetëm në raste të fatkeqësive të mëdha natyrore, siç janë rastet e vërshimeve, stuhive, tërmeteve, shpërthimit të vullkaneve, zjarreve në pyje apo thatësirave.
Vendet që kualifikohen për të drejtën e shfrytëzimit të këtij fondi, përfshirë vendet anëtare dhe ato që janë në procesin e negociatave, mund të aplikojnë, nëse dëmi i drejtpërdrejtë nga fatkeqësia vlerësohet të jetë mbi 3 miliardë euro.
Në rast se një aplikim pranohet, shteti përfitues duhet të paraqesë raport rreth zbatimit të kontributit financiar nga ky fond jo më vonë se gjashtë muaj pas përfundimit të afatit 18-muajsh, periudhë gjatë së cilës duhet të shfrytëzohet granti.