Një kërcënim i tillë e vë në pikëpyetje distribuimin e vaksinave për vendet jashtë bllokut evropian
Bruksel, 25 janar (Reuters-Guardian) – Bashkimi Evropian është kërcënuar të hënën me bllokimin e eksportit të vaksinave ndaj koronavirusit në vendet jashtë bllokut, pasi “AstraZeneca” është akuzuar se nuk ka ofruar shpjegime të mjaftueshme rreth mungesës drastike të furnizimit me dozat e premtuara të kurës për vendet anëtare.
Planet e reja të distribuimit nga ana e kompanisë farmaceutike janë cilësuar si “të papranueshme”, pasi prodhuesi i vaksinës e njoftoi “befasishëm” Komisionin Evropian gjatë të premtes se do të ketë shkurtime të konsiderueshme në orarin fillestar të furnizimeve.
BE-ja pritej të pranonte 100 milionë doza në çerekun e parë të vitit. Por druhet se blloku do të pranojë vetëm gjysmën e kontingjentit të planifikuar, me gjithë ujditë masive paraprake për blerje të arritura qysh para se kompania ta merrte aprovimin për përdorimin e vaksinës së saj nga Agjencia mjekësore Evropiane.
Në videokonferencën e realizuar me shefin ekzekutiv të “AstraZenecas”, Pascal Soriot, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se kompania duhet t’u përmbahet obligimeve të saja kontraktuale. EMA-ja pritet që ta autorizojë përdorimin e vaksinës deri në fund të kësaj jave.
“Ajo ka bërë të qartë se pret që ‘AstraZeneca’ t’i përmbushë zotimet kontraktuale, të parapara në marrëveshjen e avancuar të blerjes”, ka thënë zëdhënësi i Von der Leyenit, duke folur pas bisedimeve me përfaqësuesin e kompanisë. “Ajo ka rikujtuar Soriotin se BE-ja ka investuar shumta të konsiderueshme parash në këtë kompani për të garantuar që prodhimi të jetë funksional edhe para se të ndodhë autorizimi nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve”.
“AstraZeneca” kishte njoftuar BE-në gjatë javës së kaluar se nuk do të mund t’i përmbushë caqet e dakorduara të furnizimit me vaksinën e saj, të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit, deri në fund të marsit. Kjo gjë për bllokun do të nënkuptonte mungesë prej 60 për qind të furnizimit të premtuar me 31 milionë doza të kurës.
Ndalja në furnizime ka ndodhur pak kohë pasi që kompania tjetër “Pfizer”, që është aktualisht më e madhja në botë e prodhimit të vaksinave kundër COVID-19, kishte njoftuar për shtyrje pothuajse njëmujore të dërgesave. Mirëpo, pas reagimeve nga blloku gjiganti farmaceutik ka bërë të ditur se vonesat do të zgjasin për vetëm një javë.
Në kohën e debatit rreth furnizimit me vaksina nëpër botë, zëvendësshefi i shërbimeve shëndetësore në Britani të Madhe, Jonathan Van-tam, ka bërë të ditur se me gjithë vaksinimin, personat që i marrin dozat e kurës kundër koronavirusit mund prapëseprapë ta bartin virusin te personat e tjerë.
Për këtë arsye eksperti britanik ka sugjeruar që të vazhdohet me respektimin e masave në fuqi për frenimin e pandemisë. Nëpërmjet një shkrimi për të përjavshmen “Sunday Telegraph”, Van-Tam ka pretenduar se vaksinat përnjëmend ofrojnë “shpresë” dhe se shkalla e infeksioneve duhet të fillojë së rëni shumë shpejt.
Një paralajmërim i tillë është dhënë në kohën kur ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë se 75 për qind e personave mbi moshën 80-vjeçare kanë marrë deri më tani dozën e parë të vaksinës ndaj COVID-19.
Në Britani janë në përdorim vaksinat e kompanive “Pfizer”-“BioNTech” dhe “AstraZenecas”, të cilat duhen marrë në dy doza. Sipas të dhënave qeveritare, në gjithë Britaninë, 5.8 milionë persona janë vaksinuar kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi. Sistemi Kombëtar i Shëndetësisë në këtë shtet ka njoftuar se për zgjerimin e procesit nga e hëna do të hapen qendra të reja të vaksinimit.