U mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) në Tiranë dhe Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me qëllim zhvillimin e projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta në fushën e librit, leximit dhe promovimit të dijes, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, QKLL ka bërë edhe dhurimin e 67 titujve të rinj për bibliotekën e Fakultetit Filozofik, si një shenjë vlerësimi dhe mbështetjeje me rastin e 65-vjetorit të këtij fakulteti.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, vlerësoi lart këtë hap, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla për thellimin e lidhjeve vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushat e arsimit, artit dhe kulturës.
“Është një hap i hedhur që meriton vëmendje, meriton dashuri, meriton respekt. Këto libra bëjnë pjesë edhe janë në ndihmë të programeve të studimit që edukohen në Fakultetin Filozofik këtu në UP. Ju siguroj që Ambasada e Shqipërisë, në bashkëpunimin vëllazëror të ngushtë me Kosovën, ne do të jemi në hapat e duhur, në ritmin e duhur, ne do të mbështesim çdo projekt që çon më tej këtë vëllazëri, sidomos në fushën e dijes, të artit e të arsimit”, tha ai.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, tha se kjo marrëveshje është një nismë që synon bashkëpunimin konkret në fusha të ndryshme që i shërbejnë jo vetëm universitetit, por edhe kulturës shqiptare në tërësi.
“Marrëveshja ka të bëjë me bashkëpunimet e përbashkëta, sidomos në fushën e librit, në botime të cilat i shërbejnë jo vetëm universitetit por edhe kulturës shqiptare në përgjithësi”, tha ajo.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi, falënderoi ambasadën dhe QKLL-në për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar librin si dhuratën më të mirë që një fakultet mund të marrë.
“Falënderojmë shumë Ambasadën, Shqipërinë për ndihmën e vazhdueshme që na jep në këtë drejtim. Dhurata më e mirë se libri nuk mund të ketë për një fakultet. Ne jemi shumë mirënjohës”, tha ai.