Portugalia – si kryesuese e Bashkimit Evropian – ka përpiluar një listë të re të vendeve potencialisht të sigurta nga koronavirusi, duke përfshirë në të edhe Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Nëse lista miratohet, qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë ata që nuk janë të vaksinuar kundër koronavirusit, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së.
Përfaqësuesit e përhershëm të vendeve anëtare të BE-së diskutojnë sot draft-listën e re, e cila, përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshin edhe Kanadanë, Moldavinë, Armeninë, Azerbajxhanin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Katarin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ambasadorët e BE-së tashmë e kanë miratuar atë.Reklamë
BE-ja i azhurnon listat çdo dy javë, në përputhje me situatën epidemiologjike në secilin vend veç e veç.
Në takimin e 18 qershorit, në listën e vendeve të sigurta janë përfshirë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit.
Në muajin maj, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe të ashtuquajturën “frenë emergjente”, në bazë të së cilës mund të riaktivizohet ndalesa e udhëtimit për vendet ku situata epidemiologjike përkeqësohet me shpejtësi.