Zyrtarë të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë kanë thënë se transformimi i FSK-së duhet të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe, po ashtu, duke i marrë parasysh shqetësimet e të gjitha komuniteteve në vend. Parlamenti javën e kaluar i ka miratuar në parim tri projektligjet për transformimin e FSK-së, të cilat i kanë kundërshtuar vetëm deputetët e Listës Serbe.
Bashkimi Evropian po kërkon që transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke marrë parasysh interesat e shqetësimet e të gjitha komuniteteve në vend dhe jo siç ka kaluar në leximin e parë në Kuvend pa pëlqimin e Listës Serbe.
Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë deklaruar gazetës “Zëri” se mbështesin një proces gjithëpërfshirës, i cili çon në miratimin e legjislacionit për transformimin e FSK-së.
“BE-ja mbetet plotësisht e angazhuar për zhvillimin dhe për prosperitetin e Kosovës si pjesë integrale e agjendës së saj për Ballkanin Perëndimor. BE-ja ka kërkuar gjithmonë një proces gjithëpërfshirës që çon në miratimin e legjislacionit për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe duke marrë parasysh interesat e shqetësimet e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe të gjithë partnerët, entitetet dhe organizatat relevante”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e Zyrës së BE-së.