Rregullatori evropian i ilaçeve pritet që të martën të dalë me njoftim për vlerësimin e sigurisë së vaksinës së kompanisë “Johnson & Johnson” për Covid-19 pas frikës se ajo mund të jetë e lidhur me mpiksjen e rrallë të gjakut.
Vendimin rreth sigurisë së përdorimit të vaksinës me një dozë pritet ta marrin deri të premten edhe Shtetet e Bashkuara, në kohën kur vendet në mbarë botën po mundohen ta përshpejtojnë procesin e vaksinimit të popullsisë dhe ta ringjallin ekonominë e goditur rëndë nga pandemia.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve pritet që të martën të mbajë një konferencë për gazetarë në Amsterdam të Holandës pas vlerësimit të katër rasteve me mpiksje të gjakut, njëra prej të cilave përfundoi me fatalitet, shkruan The Guardian.
Sidoqoftë, kjo agjenci ka thënë se numri i rasteve të raportuara me mpiksje të gjakut është jashtëzakonisht i vogël në krahasim me 4.5 milionë njerëzit që tashmë e kanë marrë vaksinën e kompanisë “Johnson & Johnson” në mbarë botën.Reklamë
Vlerësim të ngjashëm ka dhënë edhe këshilltari më i lartë i ShBA-së për pandemi, Anthony Fauci, i cili ka thënë se rastet e mpiksjes së gjakut kanë qenë ngjarje jashtëzakonisht të rralla.
Fauci madje tha të dielën se beson që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që ta përdorin këtë vaksinë, me gjasë me disa kufizime ose paralajmërime.