Ish-kapiteni i Anglisë, David Beckham, ka parashikuar se përfaqësuesja e tij do të arrijë finalen e Botërorit, së bashku me Argjentinën e Lionel Messit.
Anglezët kanë nisur me fitore kampanjën në Botëror kur mposhtën 2 me 1 Tunizinë dhe Beckhami që kurrë nuk ka arritur më shumë se çerekfinalen si lojtar, ka thënë se loja e ka bindur se anglezët do të jenë në finale.
“Besoj se Argjentina do të luajë kundër Anglisë në finale”, ka thënë 43-vjeçari.
“Natyrisht se Anglia do ta fitonte Botërorin, por ky është mendim i një të pasionuari pas vendit të vet”, ka shtuar ai.
Ish-lojtari i Manchester Unitedit dhe Real Madridit, ka paralajmëruar “Tre Luanët” se do të kenë rrugë të vështirë deri te finalja.
“Jam i lumtur që fituam ndeshjen e parë të grupit”, ka thënë ai.
“Anglia është ekip i ri, nuk kanë përvojë dhe udhëtimi në Botëror do të bëhet edhe më i vështirë sepse ka ekipe shumë të mira”, ka thënë veç të tjerash Beckham.