Bedri Hamza, tashmë kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës, i cili mposhti Agim Bahtirin që në raundin e parë, ka thënë se nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai ka shtuar se është në proces të formimit të ekipit me të cilin do të udhëheqë Mitrovicën dhe njëkohësisht ka bërë të qartë se është i interesuar për koalicion stabil, por jo me LVV-në.
Sipas tij, kjo parti duhet t’a bëjë opozitën brenda Asamblesë Komunale
“Ende jo, unë jam i interesuar për të pasur një koalicion qeverisës stabil. Tash realisht dikush duhet të mbetet në opozitë dhe mendoj se Vetëvendosja do të jetë opozita e ardhshme në Kuvend”, ka thënë Hamza për Front Online .
Hamza tha se do të bëj koalicion me partitë e tjera për Asamblenë Komunale dhe ndarjen e drejtorive, por që personat që do të udhëheqin duhet t’i plotësojnë disa kritere.
“Nuk e kam problem për t’i bërë numrat, por megjithatë jam i interesuar që edhe me partitë e tjera të bashkëpunoj për të qenë shumicë në Kuvend dhe në qeverisje. Por, përtej kësaj duhet të plotësohen ato kritere që i kam thënë vazhdimisht që duhet të jenë profesional me integritet dhe natyrisht pritet edhe performancë”, është shprehur Hamza.