Beogradi më i ndoturi në Ballkanin Perëndimor: Shifër e frikshme e personave që vdesin në vit

Prishtinë | 15 Dhj 2019 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Kombet e Bashkuara kanë alarmuar se ndotja e ajrit në Ballkanin Perëndimor vret mijëra njerëz në vit. E më së shumti në kryeqytetin serb, Beograd

Siç thuhet në studimin e fundit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin ‘Ndotja e Ajrit dhe Shëndeti i Njeriut: Rasti i Ballkanit Perëndimor’, të paktën një mijë njerëz në vit vdesin vetëm në Beograd për shkak të ajrit të ndotur.

Studimi i kryer në 18 qytete të rajonit tregoi se kryeqyteti i Serbisë vazhdon të jetë më i rrezikuari për shkak se është qyteti më i madh në rajon.

Menjëherë pas Beogradit, Plava kryeson listën si ndër qytetet më të ndotura dhe shkalla e vdekjes është përgjithësisht midis 150 dhe 250 persona për 100 mijë banorë.

Përveç tyre, edhe Tivati konsiderohet si njëri ndër qytetet e rrezikuara sa i përket bllokimit të ajrit që çon në dëme shëndetësore të cilat mund të jenë vdekjeprurëse.

Ndotja e ajrit zvogëlon jetëgjatësinë nga 0.4 në 1.3 vjet. Grimcat PM2.5 vlerësohen të përbëjnë 75 përqind të të gjitha vdekjeve të lidhura me ndotjen e ajrit. Ekspozimi ndaj ajrit të ndotur rrit rrezikun e vdekjes së parakohshme të secilit mbi moshën 30 vjeç.

Pjesa e vdekshmërisë totale, që i atribuohet të gjithë ndotësve të ajrit të konsideruar, varion nga katër përqind në Tivat  dhe në 19 përqind në Tetovë. Shuma e të gjitha vdekjeve që i atribuohen drejtpërdrejt ndotjes së ajrit në qytetet e Ballkanit Perëndimor të mbuluar nga ky studim është afro 5,000 në vit.

Raportohet se në Ballkanin Perëndimor, ndotja është gjithashtu pesë herë më e lartë se në vendet e BE’së. Ndotja e ajrit është një problem serioz në të gjitha vendet e këtij rajoni. Topografia e rajonit, por mbi të gjitha cilësia e ulët e karburanteve të ngurta që përdoren në termocentralet e qymyrit, djegia e qymyrit për ngrohje shtëpiake, industria e vjetërsuar dhe automjetet e vjetra, kontribuojnë në përqendrimin e lartë të ndotësve të ajrit./GM

Të ngjashme