Berisha i PDK-së i reagon Abdixhikut, e njëjtëson me Kurtin dhe Osmanin

Prishtinë | 12 Jan 2026 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, pas deklaratave të fundit ku ky i fundit ka përmendur “mercenarë” pa iu referuar konkretisht dikujt, por qëndrimeve kundër deklarimit të Besian Mustafës se gabimi më i madh i LDK-së ishte votimi i Hashim Thaçit për President të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Berisha e ka akuzuar Abdixhikun se bën pjesë në të njëjtën strukturë ideologjike me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.

“Nuk ka asnjë dilemë se ti, Lumir Abdixhiku, bashkë me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, përbëni të njëjtën strukturë ideologjike sorosiane”, ka shkruar Berisha, duke e cilësuar këtë strukturë si të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Ai ka thënë se Abdixhiku ka “shkelur rëndë” me deklarimet e tij, duke shtuar se ka pritur reagime nga brenda LDK-së kundër, siç u shpreh, “një gjuhe që fyen luftën dhe përçmon sakrificën”.

Berisha e ka kritikuar Abdixhikun edhe për sulmet ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke i quajtur ato “luftë politike kundër figurave shtetformuese”.

Në fund, ai ka kërkuar që Abdixhiku të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së dhe t’u bashkohet Kurtit dhe Osmanit.

Të ngjashme