Berisha i shkruan Konjufcës, kërkon të tërhiqet propozimi i Odës së Avokatëve për anëtarin e saj në KPK- arsye shkelja etike

Prishtinë | 05 Pri 2024 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

Avokati Besnik Berisha tashmë kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës i është drejtuar me një letër kryeparlametarit Glauk Konjufca.

Ai, në cilësinë  kryetarit të OAK ka kërkuar tërheqjen e propozimit të odës të cilën ai e drejton për një anëtar të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Sipas Berishës, bëhet fjalë për Skender Gojanin i propozuar për anëtar të KPK-së.

“Kjo tërheqje kërkohet për shkak se, me të marrë detyrën e kryetarit jam njoftuar se avokati i propozuar për anëtar të KPK-së, Skender Gojani, në kohën e propozimit kishte të iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë të Kodit të Etikës dhe tashmë është konfirmuar nga komisioni disiplinor se ai ka kryer shkelje të rëndë të këtij kodi”, thuhet në kërkesën e Berishës drejtuar Konjufcës.

Berisha thotë se kjo situatë, e bën të padrejtë kandidaturën e Gojanit dhe e dëmton rëndë imazhin e OEK-së dhe KPK-së në rast se kandidatura e tij kalon në Kuvend.

Kjo kërkesë parashtrohet ekskluzivisht për shkak të ruajtjes së imazhit tonë si dhe me qëllim që deputetët të mos vihen në lajthim me rastin e votimit eventual”, thuhet tutje në kërkesën e Berishës.

Të ngjashme