Ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha të shtunën e 18 dhjetorit ka bërë thirrje për të gjithë demokratët, “të protestojnë në mbrojtje të interesave kombëtare”.
Ndërsa i është drejtuar qendrës së votimit për “referendumin” e iniciuar nga vetë ai, Berisha tha se, protestën së hënës pasdite, ai po e mbledh “në cilësinë e sovranit”.
Gjithashtu ish-kryeministri tha se kjo protestë do jetë dhe kundra Ballkanit të Hapur, duke e cilësuar si “aleancë kundër interesave jetike të shqiptarëve, si aleancë që po nxit destabilizimin, duke sfiduar nismën e Berlinit nga BE për ta vendosur në hegjemoninë serbe”.
“E keni parë sesi ka mbledhur në anti-kuvendin e tij nxënës shkollash deri tek kryetarë me dy mandate të bashkive të PS-së. Ditën e hënë në orën 16:00 të gjithë demokratët në protestën e madhe në mbrojte të interesit kombëtar, por edhe kundër vjedhjes së tmerrshme të 430 mln eurove që kërkon kreu i Meduzës me SPAK-un e tij që t’i fsheh në një vjedhje prej 3 mln eurosh. Po i mbledh nën cilësinë e sovranit. Kuvendi është autoriteti më i lartë i PD-së, i cili urdhëroi me votën e tij thirrjen e referendumit”, u shpreh ish-kryeministri.
Pasi votoi për shkarkimin e Lulzim Bashës, ai tha se ky është referendumi i shpresës dhe lirisë.
“Ky është referendumi i parë në 30 vite i thirrur nga anëtarësia e një partie politike për të shkarkuar peng kryetarin me fjalë të tjera atë që do hyjë në analet politike të Shqipërisë, si Lulzim Brava”, tha ai.
Berisha tregoi se ky është referendumi i parë që demokratët thërrasin vetë për një vendim historik duke rikujtuar se në viti 2009 është zhvilluar një tjetër referendum ku anëtarësia u ftua nga kryetari për të mos votuar kryetarin.
“Tani çdo shqiptar të krahasojë dy botë, të lirisë dhe autokracisë. Duke rikujtuar këtë kontrast të madh, rikujtojmë se ky është referendumi i shpresës për çdo shqiptar”, tha ai.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetareje nëse votimi në “Bar Amerika” është një provokim për Shtetet e Bashkuara, ish-kryeministri shqiptar iu përgjigj: Aq sa do të jetë amerika provokim. Është një vend që unë e admiroj. Po të marrësh në një aspekt tjetër, nga ky Bar i vogël këtu i dërgohet një mesazh forcave konservatore në Europë e SHBA, anëtarësia po ushtron votën e saj të lirë, kundër një kryetari që u mor peng e pësoi metamorfozën më fatale që nuk e gjen as në romanet e Kafkës, ./TCh
Berisha tha se beteja e tij për votën e lirë nuk mund të jetë një betejë kundër SHBA-së dhe asnjë një vendi tjetër të lirë. Ndërsa theksoi se beteja e tij personale po zhvillohet në Gjykatën e Parisit.