Berisha i përgjigjet zyrtarit të NATO-s për krijimin e Forcave të Armatosura

Prishtinë | 17 Sht 2017 | 12:05 | Nga

Ministri i ri i FKS-së, Rrustem Berisha, ka thënë se nuk është në kompetencën e tij të komentojë deklaratat e zyrtarit të NATO’së se ende s’ka marrëveshje Kosovë-Serbi për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Nuk mund të them asgjë në këtë drejtim. Sa i përket neve bisedimet i tejkalojnë kompetencat tona si Ministri”, ka thënë Berisha, për Express, të dielën.

Në anën tjetër, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel, në një konferencë për media, në Bruksel, ka thënë se ende nuk ka marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë për FAK-un.

“Për krijimin e Forcës së Armatosur të Kosovës ende nuk ka një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Krijimi i ushtrisë duhet bërë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ky është një ndër rekomandimet që ka bërë dhe Sekretari i Përgjithshëm. Ne nuk po themi që Kosova nuk ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj por duhet bërë në përputhje me afatet dhe detyrimet kushtetuese”, tha Petr Pavel.

Para pesë muajsh, Presidenti Thaçi kishte nisur iniciativën për krijimin e ushtrisë, përmes një Projektligji, i cili u dërgua por pastaj u tërhoq nga Parlamenti i Kosovës.

Zmbrapsja e Thaçit erdhi pas reagimit të ndërkombëtareve se FAK krijohet vetëm duke ndryshuar Kushtetutën, e cila kërkon miratimin edhe të 2/3 e deputetëve të pakicës serbe. Këta të fundit bashkë me Beogradin vazhdimisht janë deklaruar kundër themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Por, Ministri i ri i FKS-së, Rrustem Berisha, thotë se kanë plan konkret për të nisur bisedimet me pakicat për t’i bindur se ushtria e Kosovës nuk është kundër askujt. Ai thotë se shpejt do të dalin edhe me hapat konkret që do t’i ndërmarrin për t’ua sqaruar pakicave qëllimin e krijimit të FAK-ut.

“Kjo është e njohur se Forcat e Armatosura të Kosovës duhet të krijohen sipas Kushtetutës dhe amandamentimin kushtetues. Sa kam informata, do të formohet një Ekip Qeveritar, që do të zhvillojë njëherë bisedimet e brendshme. Të shohim se çka mund të bëjmë që të bindim deputetët e Listës Sprksa që të ndryshojë qëndrimin. Do të planifikojmë një sërë aktivitetesh që do t’i ndërmarrim si Ministri dhe Qeveri”, ka thënë Berisha, për Express.

Ai ka thënë se do të bisedojmë me të gjithë në Kosovë për t’iu treguar për rolin që tash dhe do të ketë në të ardhmen Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Do t’i thërrasim të gjitha minoritetet të shohim se si do të bëjmë zgjidhjen”, ka shtuar ai.

“Ne do t’i parashohim dhe sigurisht se ka Plan Qeveritar dhe do të punojmë për realizimin e këtij plani. Nuk kam shumë detaje dhe nuk mund të parashikoj se si do të shkojnë rrjedhat”.

Aktualisht mandati i FSK-së është vetëm reagimin në raste të katastrofave natyrore. Ky mandat është i specifikuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Zyrtarët e Shtetit të Kosovës kanë deklaruar se brenda këtij viti do të themelohet Ushtria e Kosovës.

Përgjegjësi kryesor për themelimin e Ushtrisë nuk flet për data por thotë se shpejt do të krijohet FAK.

“Për datë nuk mund të flasë kësaj radhe por nuk do të zgjatet shumë. Ne do të insistojmë që kjo sa më shpejt të kryehet për shkak se FSK i ka kryer të gjitha oblgiimet për mandatin aktual”, ka shtuar ai.

Rrustem Berisha është emëruar Ministër i FSK-së në Qeverinë e re të ndërtuar nga PDK-AAK-AKR e Lista Sprksa.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme